Presidenti Erdogan apelon për armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës para fillimit të bisedimeve të paqes në Stamboll
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka përsëritur thirrjet e tij për armëpushim para fillimit të bisedimeve të paqes mes Rusisë dhë Ukrainës në Stamboll të Turqisë, përderisa lufta ruse në Ukrainë po vazhdon për më shumë se një muaj, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapjen e bisedimeve të paqes midis delegacioneve ruse dhe ukrainase, presidenti Erdoğan tha se Turqia beson se nga paqja e drejtë nuk ka humbës dhe se zgjatja e konfliktit nuk është në dobi të askujt.
Ai theksoi se Turqia po ashtu është e gatshme të organizojë bisedimet e paqes midis presidentëve rus dhe ukrainas.
Erdoğan tha se Turqia si një vend që ka dëshmuar shumë dhimbje në rajonin e tij, kanë punuar dhe janë përpjekur që një pamje e ngjashme të mos ndodhë në veri të Deti të Zi.
Më tej, Erdoğan tha se Turqia ka shfaqur një qasje të drejtë që mbron të drejtën, ligjin dhe ndjeshmërinë e të dyja palëve, respektivisht të Rusisë dhe Ukrainës, në të gjitha platformat ndërkombëtare.
Raundi i ri i bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, i ndërmjetësuar nga Turqia, filloi sot në zyrën presidenciale Dolmabahçe në Stamboll, ndërsa nesër pas përfundimit të bisedimeve palët do të adresohen për mediat.
Dje, presidenti Erdoğan njoftoi se para fillimit të raundit të ri të bisedimeve të paqes, ai do të ulet me të dyja palët për një “takim të shkurtër”. Ai po ashtu theksoi se bisedimet në telefon me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe atë rus, Vladimir Putin, po vazhdojnë në “drejtim të favorshëm”.
Deri më tani në Bjellorusi janë mbajtur disa raunde bisedimesh midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa ato të fundit u mbajtën përmes video-konferencës më 14 mars, por deri më tani nuk është arritur ndonjë rezultat konkret.
Bisedimet që mbahen sot dhe nesër në Stamboll janë përpjekja e dytë e Turqisë për të sjellë paqen midis dy palëve ndërluftuese.
Turqia ishte në titujt kryesorë në mbarë botën më 10 mars për pritjen e shefave të diplomacisë ruse dhe ukrainase në qytetin jugor Antalya, takim i nivelit më të lartë midis dy palëve që nga fillimi i luftës.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është përballur me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndër të tjera, që zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 1.151 civilë janë vrarë dhe rreth 1.800 të tjerë janë plagosur që kur Rusia filloi luftën kundër Ukrainës më 24 shkurt, por theksohet se shifra e vërtetë e viktimave është shumë më e lartë.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se po ashtu mbi 3,8 milionë refugjatë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje, ndërkohë me miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.