Rama: Jemi këtu për t’i mbrojtur qytetarët shqiptarë nga rritja e çmimeve
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot se “ne jemi këtu për t’i mbrojtur qytetarët shqiptarë nga rritja e çmimeve dhe mburoja që i kemi bërë çmimit të energjisë deri tani ka funksionuar”.
Në një lidhje direkte me një studio televizive, Rama foli për luftën në Ukrainë dhe ndikimet që do të sjellin sanksionet në rritjen e çmimeve.
“Kur unë dola përpara disa muajsh dhe paralajmërova një periudhë shumë të vështirë krize për energjinë, nuk parashihja në asnjë mënyrë luftën, por ishte shumë e qartë se kishte filluar të frynte një erë e ftohtë në stinën e Evropës si rezultat i një lëvizje të Vladimir Putinit në raport me gazin dhe furnizimin e tij. E lidhur kjo edhe me efektet e post pandemisë, Evropa u ballafaqua me një kërkesë shumë më të lartë se oferta në tregjet ndërkombëtare”, tha Rama.
Rama tha se kjo qeveri po bën diçka, që realisht të përpiqemi ta mbajmë kështu si jemi mosrritjen e çmimit të energjisë, gjë që nuk e kanë bërë vendet e tjera, vendet fqinje. “Në Greqi kanë rritur në mënyrë shumë të konsiderueshme çmimin e energjisë. Nga ana tjetër, nafta sot është në pikun e vetë të vitit 2014 në tregjet ndërkombëtare. Sigurisht edhe rritja e përgjithshme e çmimeve që ishte një trend i post pandemisë për shkak të rritjes së inflacionit, për shkak të hedhjes në qarkullim të sasive të mëdha të parave ka bërë që edhe Shqipëria të afektohet. Ne jemi këtu për t’i mbrojtur qytetarët shqiptarë. Mburoja që i kemi bërë çmimit të energjisë deri tani ka funksionuar”, tha Rama.
Kryeministri tha se “duhet të jemi të vetëdijshëm që jemi në luftë, ne fatmirësisht nuk jemi në frontin e parë, nuk e afektojmë ushtarakisht, por na afekton patjetër nga pikëpamja e çmimeve”.
“Ajo që kurrë nuk e mendonim ka ndodhur. Lufta është rikthyer në formën e vetë më të egër dhe në atë formë që gjithë kjo gjeneratë që sot udhëheq Evropën nuk e kishte njohur. Nuk është një film dokumentar e artistik, por kjo duhet realisht të na bëjë të gjithëve të reflektojmë. Jemi në një moment që ata njerëz që qëndrojnë atje për të luftuar na mësojnë që ta çmojmë më shumë lirinë që kemi, ta vlerësojmë më shumë atë që kemi në tërësi”, tha Rama.