Vazhdon rënia e rasteve aktive me coronavirus në Maqedoni
Në Maqedoninë e Veriut vazhdon trendi i rënies të numrit të rasteve të reja me Covid-19, si dhe të rasteve aktive me coronavirus.
Dje u regjistruan 370 raste të reja me Covid-19, nga të cilat 51 janë riinfeksion.
Numri i përgjithshëm i personave të diagnostifikuar me COVID-19 në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 299.419, numri i të shëruarve është 287.518, numri i të vdekurve është 9.075, ndërsa numri i rasteve aktive është 2.826.
Shtabi i Përgjithshëm Koordinues dhe Qeveria duhet të deklarohet për rekomandimin e Komisionit për Sëmundjet Infektive për heqjen e çertifikatave të detyrueshme për hyrjen në qendrat tregtare, atje ku nuk është e detyrueshme mbajtja e maskave. Gjithashtu, në lidhje me rekomandimin për heqjen e posedimit të detyrueshëm të testit PCR negativ, çertifikatën e përshtatshmërisë apo çertifikatën për vaksinim pas largimit nga vendi ynë, si dhe heqjen e pushimit në punë për gratë shtatzëna.
Për të rritur imunitetin e popullatës, që do të ishte bazë për lehtësimin e mëtejshëm të masave, Komisioni nisi një fushatë për vaksinimin e personave në rrezik.
Kryetari i Komisionit, Aleksandar Petliçkovski, në një konferencë për media të kësaj jave, njoftoi se përveç heqjes së çertifikatave për hyrje në qendrat tregtare, së shpejti, varësisht nga situata, do të ketë edhe zbutje të masave të tjera kufizuese.