ASh: Kamçev bleu lirinë për 5,3 milionë euro! Prokuroria bëri pakt me krimin
Nga Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar pasi biznesmeni Orce Kamçev arriti kompromis me Prokurorinë për rastin “Perandoria”. Nga ASh thonë se Prokuroria bëri pakt me krimin dhe se kriminelët po blejnë lirinë.
“Sot para syve të gjithë opinionit, prokuroria e ashtuquajtur për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në vend se ta ndiqte vendosi të bëjë pakt me krimin. Këtë e miratoi më pas edhe gjykata penale dhe kështu kriminelëve të dyshuar si Orce Kamçev me kompaninë, u mundësua që ta blejnë lirinë me 5.3 milionë euro. Para të cilat duhej të konfiskohen u përdorën për ta blerë drejtësinë, ndërsa për të u hedhur pluhur syve qytetarëve, Kamçevit iu shqiptua një vit burg, ku do t’i llogaritet paraburgimi, që nënkupton se ai mbetet i lirë për këtë rast.
Regjimi hibrid LSDM-BDI nuk lufton krimin, por po lufton qytetarët dhe të gjithë faktorin ndërkombëtar të cilët për çdo ditë alarmojnë për gjendjen kritike në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagimin e ASh-së.