ASH: Komunikimi mes Ziberit dhe Shaqirit vetëm në maqedonisht, skandal që duhet dënuar
Partia Aleanca për Shqiptarët ka reaguar rreth përdorimit të gjuihës shqipe të dy zyrtarëve të BDI-së shqiptarë të cilët kishin dërguar shkresa vetëm në gjuhën maqedone.
Në komunikatë thuhet se gjatë ditës së djeshme i gjithë opinioni ishte dëshmitar i një skandali të dy zyrtarëve të BDI-së të cilët edhe pse që të dy janë të deklaruar si shqiptarë, komunikimin e zhvilluan vetëm në gjuhën maqedonase, duke mos respektuar të paktën dygjuhësinë.
I ashtuquajturi Avokati i Popullit, Naser Ziberi, në një shkresë dërguar Ministrit për Arsim, Jeton Shaqiri, kishte tentuar edhe një herë të bëjë presion mbi arsimtarët që ta ndërpresin grevën. Edhe pse që të dy funksionarët janë të deklaruar si shqiptarë, shkresa ishte dërguar vetëm në gjuhën maqedonase. Këtë shkresë, si të tillë dhe vetëm në një gjuhë, me mburrje e kishte publikuar Ministri Shaqiri.
Ne nuk duam të ndërhyjmë në bindjet dhe përzgjedhjet personale të dy funksionarëve të BDI-së. Ata mund të vazhdojnë që në jetën private të komunikojnë vetëm në gjuhën maqedonase. Por, i rikujtojmë se në fuqi ka një ligj që në këto institucione i obligon të përdorin dy gjuhët, gjeqësisht edhe gjuhën shqipe, aq më tepër kur shkresa ka të bëjë edhe me arsimtarët, një pjesë e madhe e të cilëve janë shqiptarë. Ftojmë edhe Inspektoriatin për zbatimin e ligjit të gjuhëve që urgjentisht të kryjë detyrën dhe të merr masa ndaj dy funksionarëve të BDI-së.