Rajoni

Më 20 prill s’ka grevë në arsim, SBAShK-u pret bisedime me Qeverinë

Shpërndaje

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se nesër nuk do të ketë grevë në institucionet arsimore dhe ato kulturore ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë.

Ai për Klankosova.tv tha se të mërkurën e 20 prillit është afati i fundit në të cilin priten bisedimet me Qeverinë.

“Vendimi i kongresit ka qenë që deri me 20 prill është data kur priten bisedat, takimet dhe pas kësaj date, nëse asgjë nuk ka, asnjë lëvizje atëherë thirret edhe Këshilli Drejtues dhe e definon qartë si do të duket greva, do të thotë që ne e kemi opsion të hapur, por ne po presim dhe pastaj shohim a ka ndonjë lëvizje. Po presim me kalu 20 prilli pastaj ne me e thirr Këshillin Drejtues dhe ne me raportu me përfaqësuesit tonë, pra unë dhe të tjerët se a kemi pasur takime dhe cilat janë gjasat, ata vendosin në bazë të kësaj dhe e definojnë, ashtu siç ata e definojnë, në veprojmë”, u shpreh ai.

Jasharaj u shpreh më tutje se nëse fillojnë bisedimet, atëherë gjatë kohës së tyre nuk do të ketë ndonjë veprim sindikal.

Por, kryesindikalisti i arsimit shpreson se Qeveria do të ndërmarrë masa në këtë drejtim, sepse sipas tij zgjidhja e vetme është arritja e një marrëveshjeje.

“Nesër jo, sepse e kemi thënë edhe në kongres, që 20 prilli është afat që e kemi dhënë nga 8 prilli i protestës, pra është hapësirë për biseda, që me gjet zgjidhje me ardh deri tek dialogu dhe qeveria me gjet zgjidhje për dialog dhe po filloi dialogu i sinqertë atëherë edhe me rregulla është se derisa të ketë dialog, të dyja palët nuk bëjnë veprime të tjera. Ne gjithmonë mbajmë shpresa se ata më në fund do ta shohin se pa sindikata nuk mund të bëhet gjë dhe besoj se do të ketë takime intensive, sepse as neve e as atyre nuk na duhen protestat dhe grevat, shumë më e mirë është që të arrihet marrëveshje”, u shpreh Jasharaj.

Kryetari i SBAShK-ut ritheksoi edhe njëherë kërkesën kryesore të kësaj dhe sindikatave të tjera.

“Kërkesat kyqe janë që derisa në bashkëpunim me sindikatat nuk arrin të finalizohet dhe të shkojë në procesura e të aplikohet ligji i pagave, deri atëherë do të kemi një mbështetje në paga, prej 100 eurosh për të gjithë të punësuarit, që nga çerdhet e deri në universitet dhe sektorin e kulturës, këto 100 euro të vazhdohen deri në momentin kur sindikata dhe qeveria pajtohen me ligjin e pagave, e dëgjojnë njëra tjetrën dhe vendosin bashkarisht duke i respektuar edhe argumentet dhe propozimet e SBAShK-ut dhe pastaj kur fillon të implementohet ligji i pagave, shume prej 100 eurosh ndërpritet dhe pastaj vazhdohen pagat me ligjin e pagave që ne natyrshëm presim që ky ligj të krijojë rritje të pagave”, tha ai.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për Klankosova.tv kanë deklaruar se greva do t`u bënte dëm nxënësve dhe gjithë sistemit të edukimit.

Në një përgjigje të kësaj ministrie, thuhet se periudha e pandemisë ka ndikuar shumë që të këtë humbje të thella arsimore në sistemin e arsimit.

“Periudha e pandemisë ka ndikuar shumë që të këtë humbje të thella arsimore në sistemin e arsimit, për shkak se nxënësit kanë humbur orë dhe mësimi ka qenë shpeshherë jo i rregullt. Gjatë kësaj periudhe punonjësit e arsimit kanë qenë në nivel të detyrës të tyre. Greva do t`u bente dëm nxënësve dhe gjithë sistemit të edukimit. Si Ministri jemi duke punuar shumë në përmirësim të rezultateve në arsim”, thuhet më tej në përgjigjen e MAShT.

Për të diskutuar në lidhje me afatin e 20 prillit dhe paralajmërimin e SBAShK-ut për protesta, do të mblidhet edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Këtë për Klankosova.tv.e konfirmoi edhe kryetari i Këshillit të Prindërve, Ymret Reshiti, i cili tha se takimi pritet të zhvillohet sot gjatë ditës.

“Do ta kemi një takim të Këshillit të Prindërve. Gjatë ditës do të kontaktohem me ta dhe do ta mbajmë një takim online”, u shpreh ai.