BotaTop Lajme

Ministrat e Financave të G7 premtojnë mbi 24 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën

Shpërndaje

Ministrat e Financave të G7 se bashkë me komunitetin ndërkombëtar kanë premtuar një mbështetje që tejkalon 24 miliardë dollarë për Ukrainën për vitin 2022 dhe më pas, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrat e Financave dhe krerët e bankave qendrore të vendeve të G7 të përbërë nga SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Italia dhe Japonia, kanë bërë një deklaratë të përbashkët lidhur me luftën që Rusia ka filluar në Ukrainë.

Në deklaratë thuhet se ministrat e Financave të vendeve në fjalë dhe krerët e bankave qendrore janë mbledhur për të biseduar luftën e Rusisë në Ukrainë, humbjet e jetëve të shkaktuar nga lufta dhe ndikimin ekonomik global të luftës.

Institucionet ndërkombëtare dhe forumet shumëpalëshe tashmë me Rusinë nuk duhet të zhvillojnë aktivitetet e tyre ashtu si gjithmonë, theksohet në deklaratën në të cilën njoftohet se u vjen keq që Rusia ka marrë pjesë në forumet ndërkombëtare, përfshirë mbledhjet e G20, Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore që u mbajtën këtë javë.

“Bashkë me komunitetin ndërkombëtar ne kemi premtuar dhe siguruar mbështetje shtesë në sasi të konsiderueshme, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë material që tejkalojnë 24 miliardë dollarë për vitin 2022 dhe më pas.

Mbështetja e dhënë për Ukrainën dhe vendet fqinje është e rëndësishme që të vazhdohet në koordinim të ngushtë, thuhet në deklaratën ku vendeve dhe institucioneve ndërkombëtare u bëhet thirrje që të sigurojnë mbështetje të mjaftueshme për të përmbushur nevojat urgjente të Ukrainës dhe për të rindërtuar të ardhmen e saj.