Negociatat, Rama: Presim deri në Qershor, më pas ndahemi nga RMV
I bindur se hapja e negociatave mbahet peng nga problemet që Maqedonia e Veriut ka me Bullgarinë, Edi Rama duket se i ka vënë një afat Berlinit se deri kur mund të zgjasë durimi i Tiranës zyrtare.
Qeverinë shqiptare e vlerëson me notën 10 sa i përket detyrave të përmbushura, por ndryshe nga kancelari Sholc nuk duket aq optimist për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.
Edi Rama: Në rast se përsëri ne do të bllokohemi për shkak të Bullgarisë, bazuar edhe në mbështetjen e gjerë që opsioni i ndarjes nga Maqedonia ka marrë nga opinioni publik pasi tregova dhe për Këshillimin Kombëtar, ne do të ndryshojmë qasje dhe do të flasim me gjuhë tjetër lidhur me Shqipërinë dhe nevojën e Shqipërisë për t’u ndarë nga Maqedonia e Veriut. Kancelari e tha që është optimist për ndryshimin e kushtit të Bullgarisë. Unë nuk jam dhe aq optimist, megjithatë unë uroj të jem i gabuar dhe kancelari të ketë të drejtë.
Ballkanin e Hapur e sheh si mekanizëm që çon përpara procesin e Berlinit, për të cilin tha se kishte marrë edhe mbështetjen e Kancelarit Sholc.
Edi Rama: Sikur të ishte mos mbështetës nuk do përtonte ta thoshte as midis nesh, as në publik, kështu që kurrsesi nuk do të thoja që është mos mbështetës. për më tepër që procesi i Ballkanit të hapur është një proces i cili ka lindur për shkak se procesi i Berlinit filloi te humbiste impaktin edhe për shkak se çfarë u parapa në procesin e Berlinit, çfarë u vendos dhe u rivendos në tryezë të Procesit Berlinit, nuk u implementua kurrë jo nga Gjermania apo nga të tjerët, por nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu që unë nuk shoh asnjë problem.
Sa për marrëveshjen që i hap rrugë njohjes reciproke të patentave nuk nguron të thotë se është vlerësim që Berlini i bëri reformave të qeverisë së tij.
Edi Rama: Njohja e patentave nga Gjermania është një lloj certifikate e rëndësishme për sa i përket procesit të shtet formimit, shtet ndërtimit, të shtet funksionimit në këtë sektor.
Aspak nuk i druhet armatimit të Serbisë, si rrezik për stabilitetin e rajonit, përkundrazi vlerëson Beogradin zyrtar për qëndrimet e mbajtura ndaj Rusisë.
Edi Rama: Nuk jam i shqetësuar për armatimin në fjalë sepse nuk shoh arsye për tu shqetësuar sot për sot dhe besoj që është shumë e rëndësishme që t’i fryjmë të gjithë erërave të paqes dhe të bashkëpunimit në rajo. , Serbia ka bërë hapa jashtëzakonisht inkurajues në të dyja votimet në kombet e bashkuar dhe është realisht domethënës fakti që, deri tani Ballkani është bashkë në pozicionet ndaj Rusisë.
Kryeministri Edi Rama gjatë qendrimit të tij në Gjermani vizitoi edhe ambjentet e “FACTORY BERLIN”, rrjetit më të madh europian të Startup-eve, inovacionit, edukimit digjital, artit, muzikës tekno. Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se është gati që këtë rrjet me një pjesëmarrje prej mijëra anëtarësh që ndërveprojnë me biznese dhe talente nga e gjithë bota, nga Google e Uber tek qendrat kërkimore të Siemens, Audi e Deutsche Bank, ta sjellë shumë shpejt edhe në Shqipëri.