Maqedoni

Takim Kovaçevski-Shentop: Eurointegrimi i Maqedonisë së Veriut, i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit dhe më gjerë

Shpërndaje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka takuar kryetarin e Asamblesë së Madhe Popullore të Turqisë, Mustafa Şentop, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bën të ditur Qeveria e Maqedonisë së Veriut në një njoftim, në takim janë konfirmuar bashkërisht marrëdhëniet tradicionalisht të mira dhe miqësore mes dy vendeve, të cilat janë duke u përmirësuar, gjë që e tregon rritja e vëllimit tregtar në vitin 2021, si dhe fakti që kompanitë turke janë ndër investitorët më të mëdhenj në vend.

Në takim është vlerësuar fakti që Maqedonia e Veriut është shembull se si qytetarët e kulturave, feve dhe bashkësive etnike të ndryshme mund të jetojnë së bashku në një vend, në harmoni dhe se kjo është një kontribut i rëndësishëm për paqen në Ballkan.

Po ashtu, në takim është theksuar se Turqia mbështet Maqedoninë e Veriut që sa më shpejt të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian, duke shpresuar se kjo do të ndodhë së shpejti, pasi, siç thuhet në njoftim, integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut është i një rëndësie të madhe për stabilitetin e rajonit, por dhe më gjerë.

Kryeministri Kovaçevski ka shprehur falënderime për mbështetjen e sinqertë dhe të vazhdueshme të Turqisë në përparimin e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e vendit e deri më sot.

Në takim është konstatuar se marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë vazhdojnë të zhvillohen, në aspektin ekonomik dhe si vende partnere në aleancën e NATO-s.