MaqedoniTop Lajme

Të enjten dhe premten punonjësit e administratës fillojnë grevën

Shpërndaje

Të enjten dhe të premten këtë javë punonjësit e gjykatave, ministrive, agjencive dhe institucioneve të tjera shtetërore do të kenë grevë paralajmëruese dyorëshë në vendin e punës, shkruan Alsat.

Greva do të zgjasë nga ora 10 deri në 12:00. SPOGJ i cili përfaqëson të drejtat e këtyre punëtorëve, pretendon se 95% e punëtorëve nuk kanë marrë pagën minimale të rritur prej 18.000 denarëve ndërsa pjesa tjetër ose nuk kanë marrë rrogë ose kanë gabime në shumën e pagës.

“Të paguhet menjëherë paga minimale për të gjithë punonjësit që kanë mbetur sërish nën pagën minimale. Ndërsa për të gjithë punëtorët tjerë nevojitet rritje lineare në vlerë prej 2806 denarë”, u shpreh Tërpe Deanovski, kryetar i SPOGJ.

Grevë kanë paralajmëruar edhe sindikalistët në Postën shtetërore. Nëse punonjësit nuk do të kenë rritje graduale të pagave më datën 14 të këtij muaji, paralajmërojnë se edhe ata do të hyjnë në grevë të përgjithshme. Kërkojnë rritje lineare të pagave për 3.000 mijë denarë.

“Arsyetimi i kërkesës sonë për rritje lineare të pagave është për faktin se 30 vite nuk ka pasur rritje të pagave të punëtorëve në “Postën e Maqedonisë”. Prandaj, kërkojmë rritje të menjëhershme të pagave, duke pasur parasysh rritjen e çmimeve të produkteve dhe energjisë”, deklaroi Boro Beligdenov- kryetari i Sindikatës së “Postës së Maqedonisë”.

Periudha e ardhshme do të mbahet mend për serinë e protestave që i paralajmërojnë punonjësit nën ombrellë shtetërore. Rritja e pagës minimale prej 15 në 18 mijë denarë në sektorin privat, që subvencionohet nga shteti, ka acaruar punonjësit në arsim dhe sektorët e tjerë pasi shteti nuk gjeti fonde për këto veprimtari. Qëndrimi i pushtetit është se jetojmë në kohë krize dhe se para për rritje të pagave për momentin nuk ka. Këto deklarata vinin në kohë kur opinioni ishte dëshmitar i shumave të larta të shpenzuara nga buxheti i shtetit për blerjen e luleve, pajisje luksoze për ushqim, automobila dhe shpenzime të ngjashme jo- produktive./Alsat.mk