Vazhdojnë bastisjet e policisë izraelite dhe hebrenjve fanatikë në Xhaminë Al-Aksa
Policia izraelite dhe kolonët fanatikë hebrenj bastisën sërish xhaminë Al-Aksa mëngjesin e sotëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke vazhduar bastisjet e tyre në Mesxhid al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar për të katërtën ditë me radhë, policia izraelite hyri në Xhaminë e shenjtë pas namazit të sabahut.
Policia izraelite, e cila evakuoi me forcë palestinezët, më pas i çoi kolonët fanatikë hebrenj në Al-Aksa nga Porta Magaribe. Policia izraelite shoqëroi gjithashtu grupet e kolonëve hebrenj në oborret e Al-Aksas.
Ndërkohë, në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, shihet se një grup grash palestineze kanë zhvilluar një protestë kundër policisë izraelite para Kupolës së Shkëmbit në Aksa.
– Bastisjet e hebrenjve fanatikë u shtuan për shkak të Pashkëve
Ndërsa hebrenjtë fanatikë shtuan bastisjet e tyre në Al-Aksa nën mbrojtjen e policisë izraelite gjatë Pashkëve, e cila filloi të premten, më 15 prill dhe do të zgjasë për një javë, thuhet se qeveria izraelite nuk do ta lejonte këtë që nga e premtja.
Sipas lajmeve në mediat izraelite, edhe këtë vit, ashtu si vitet e kaluara, policia izraelite nuk do të lejojë kolonët hebrenj të hyjnë në Mesxhid al-Aksa në ditët e fundit të Ramazanit. Praktika e cila do të fillojë të premten do të vazhdojë deri në ditën e fundit të festës së Ramazanit.
Në vitet e mëparshme, qeveria izraelite nuk i lejoi kolonët fanatikë hebrenj të bastisnin Xhaminë al-Aksa në ditët e fundit të Ramazanit dhe lejonte muslimanët që hynin në Itikaf të qëndronin në xhami.
– Është shkelur sovraniteti i Administratës së Fondacioneve Islame të Kudsit
Sipas traktatit të paqes të nënshkruar midis Izraelit dhe Jordanisë më 26 tetor 1994, Mesxhid al-Aksa është nën kujdesin e Administratës së Fondacioneve Islame të Kudsit, e cila është e lidhur me Ministrinë Jordaneze të Fondacioneve, Çështjeve Islame dhe Shenjtërisë.
Megjithatë, që nga viti 2003, pa lejen e administratës, hebrenjtë hyjnë në faltoren e shenjtë me vendim të njëanshëm të Izraelit, të shoqëruar nga policia.
Duke i përshkruar këto hyrje si bastisje, Administrata e Fondacioneve Islame të Kudsit deklaron se sovraniteti i muslimanëve është shkelur.