Bota

Anëtarësimi i Suedisë e Finlandës, Turqia detyron NATO-n që të shtyjë procedurat fillestare të pranimit

Shpërndaje

Turqia ka detyruar NATO-n që të shtyjë vendimin fillestar për të marrë në shqyrtim aplikimin e Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar Aleancës. Ky hap radhës,raporton Financial Times, duket se mund të minojë shpresat e dy vendeve nordike për t’u pranuar me procedura të përshpejtuara.

Ambasadorët e NATO-s u takuan të mërkurën me qëllim hapjen e bisedimeve të pranimit në të njëjtën ditë kur Finlanda dhe Suedia paraqitën kërkesat e tyre, por opozita e Ankarasë ndaloi çdo votim.

Kjo shtyrje ngre shqetësimet për mundësinë që mund të ketë NATO për të miratuar fazën e parë të aplikimit të Finlandës dhe Suedisë brenda një ose dy javësh, siç tregoi sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Po ashtu, krijohen kushtet për disa ditë diplomaci intensive mes SHBA-së, Turqisë, Finlandës dhe Suedisë mbi këtë çështje.

Të 30 anëtarët ekzistues të NATO-s duhet të ratifikojnë kërkesat e Finlandës dhe Suedisë, por ky proces mund të fillojë vetëm pasi aleanca e mbrojtjes të nxjerrë një protokoll pranimi dhe t’i ftojë zyrtarisht të dy vendet të bashkohen.

NATO nuk pranoi të komentojë, përveç përsëritjes së komenteve të Stoltenberg se “interesi i sigurisë i të gjithë aleatëve duhet të merret parasysh [dhe] se ne jemi të vendosur të punojmë për të gjitha çështjet dhe të arrijmë një përfundim të shpejtë”.