BotaTop Lajme

Erdoğan: Turqia dëshiron të shohë hapa konkretë lidhur me sigurinë e saj, jo fraza boshe diplomatike

Shpërndaje

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se Turqia, si një vend që ka paguar çmim për anëtarësim në NATO, kërkon hapa konkretë për çështjet e sigurisë kombëtare, jo fraza boshe diplomatike, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan mori pjesë në ceremoninë e përurimit të nëndetëses “Hizir Reis” në komandën e kantierit detar Gölcük dhe fillimin e prodhimit të nëndetëses “Selman Reis”.

Erdoğan njoftoi se marinës turke në gjashtë vitet e ardhshme do t’i dorëzohet nga një nëndetëse dhe zbuloi se nëndetësja vendase në Turqi do të përfundojë në pesë ose gjashtë vitet e ardhshme.

Presidenti turk tha më tej se Turqia ishte në vijën e parë të luftës kundër terrorizmit dhe luftës kundër migrimit të paligjshëm dhe se ajo ka penguar planin e formimi të korridorit terrorist përgjatë kufijve të saj jugorë.

Ai gjithashtu dënoi ashpër liderët e vendeve perëndimore që mbështetën organizatat terroriste PKK dhe FETO dhe organizuan pritje solemne për liderët terroristë.

“Ata që sot vlerësojnë kontributin e Turqisë në sigurinë e NATO-s kanë kritikuar pamëshirshëm vendin tonë për hapat që kemi ndërmarrë deri dje në Libi dhe Siri. Turqia nuk mori mbështetjen që priste nga aleatët e saj, as në operacionet e saj legjitime ndërkufitare, as në luftën e saj 40-vjeçare kundër terrorizmit. Vendi ynë ka qenë shpesh i ekspozuar ndaj sanksioneve të fshehta dhe të hapura, embargove, kërcënimeve, presioneve dhe shantazheve. Standardet e dyfishta janë diçka që ne i njohim mirë dhe që i kemi përjetuar vetë”, theksoi Erdoğan.

Duke theksuar se roli jetik i Turqisë në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare është mjaft i qartë, Erdoğan tha se disa vende ende janë duke shqyrtuar heqjen e sanksioneve, përfshirë Suedinë.

“Ne duam të shohim hapa konkretë, jo deklarata të hapura diplomatike për sigurinë tonë kombëtare, veçanërisht sepse jemi një vend që paguajmë çmim për NATO-n. Besojmë se politikat e zgjerimit që nuk i kushtojnë vëmendje çështjeve themelore të sigurisë nuk do të sjellin asgjë të mirë për ne dhe as për NATO-n”, tha Erdoğan.

Presidenti turk tha gjithashtu se Turqia nga të gjitha këto sfida dhe standarde të dyfishta është rritur në një vend që është fokusuar në prodhimin vendas në industrinë e mbrojtjes duke arritur që ky prodhim të mbërrijë në 70 për qind, kurse deri vonë varësia e saj nga importet në këtë sektor ishte 80 për qind.

“Vendi ynë aktualisht është ndër dhjetë vendet në botë që mund të projektojnë, ndërtojnë dhe mirëmbajnë anije luftarake në nivel kombëtar. Të gjitha këto aktivitete realizohen përmes punës së bashkërenduar të Drejtorisë sonë për Industrinë e Mbrojtjes, ushtrisë sonë, kantiereve detare, universiteteve dhe sektorit privat, të cilat i forcojmë me mbështetjen tonë personale. Shpresoj se do ta forcojmë këtë sinergji dhe do të vazhdojmë të krijojmë histori në industrinë e mbrojtjes duke punuar në harmoni të plotë publiko-private. Nuk do të ndalemi derisa ta bëjmë Turqinë një nga vendet më të forta në botë në këtë fushë”, tha Erdoğan.