Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e certifikimit të 257 rekrutëve të FSK-së
I nderuar ministër i Mbrojtjes, z. Mehaj,
I nderuar zëvendëskomandant i FSK-së, gjeneral Cikaqi,
E nderuar gjeneralbrigade Irfete Spahiu,
Të nderuar rekrutë, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Ushtrisë sonë,
Shumë të nderuar familjarë të rekrutëve të cilët sot na bëjnë krenar të gjithëve,
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar përfaqësues të NALT-it dhe partnerëve tanë,
Brenda pak muajsh jam sërish në mesin tuaj për ceremoninë e certifikimit të 257 rekrutëve të rinj. Kjo më bën nder dhe më bën krenare që ushtria jonë po i shton radhët me vajza e djem të rinj, të cilët atdhedashurinë po e transfromojnë në profesionalizëm.
Ju po e jetësoni çdo ditë e më tepër ëndrrën e brezave që përpos shtetit, donin ta kenë edhe ushtrinë, e cila do të jetë në funksion të mbrojtjes së vendit e në funksion të mbrojtjes së integritetit territorial e çdo cepi Kosovës sonë.
Sikurse dikur djemtë e vajzat e UÇK-së që bartën mbi supe idealin e lirisë sonë, sot ju mbani mbi supet tuaja idenë e mbrojtjes së lirisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Për nëntë javë të trajnimit, rekrutët, të cilët po certifikohen sot kanë dëshmuar shkathtësi, përgatitje dhe profesionalizëm, të udhëhequr nga instruktorë të zot të ushtrisë sonë.
Sot FSK-së po i shtohen edhe 257 rekrutë të certifikuar, vajza e djem, me të cilët Forca jonë po rritë numrin e pjesëtarëve të saj në mbi 3000.
FSK-ja ka krijuar mundësinë për shanse të barabarta, ndaj i inkurajoj vajzat e gratë që sa më shumë të bëhen pjesë e ushtrisë sonë edhe më tutje. Suksesin e dëshmuar në shumë fusha të tjera, e kanë mundësinë ta tregojnë edhe duke e veshur uniformën e FSK-së.
Me këtë numër të rekrutëve, FSK-ja, gjithnjë e më shumë po zhvillohet konform standardeve profesionale dhe në harmoni me praktikat e ushtrive më moderne në botë.
Kjo tregon se e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta, teksa FSK-ja po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit të fazës së tranzicionit.
Në kohën kur paqja globale po sfidohet gjithnjë e më tepër dhe kur tendencat autoritariste po ngrenë krye, forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse është domosdoshmëri.
Unë kam besim në profesionalizmin e ushtarëve tanë dhe jam e sigurt se këta rekrutë që kemi përpara dhe të tjerët që e kanë kaluar këtë rrugë më herët janë të gatshëm që kurdo që Republikës sonë t`i bëhen mbrojtës.
Agresioni i Rusisë këto ditë po tregon gjithmonë do të gjinden forca që duan ta shkatërrojnë paqen dhe duan ta cenojnë lirinë dhe të drejtën e kombeve për të jetuar të lirë. Ne e kemi provuar të njëjtën gjë më parë, prandaj, nuk do të ndalemi asnjëherë që ushtrinë tonë ta përgatisim sa më mirë, ta rrisim sa më shumë në mënyrë që ajo të jetë e gatshme jo vetëm për sigurinë e shtetit tonë, por edhe një partnere e ushtrive aleate në NATO, aleancë në të cilën synojmë ta anëtarësojmë Republikën e Kosovës.
Anëtarësimi në NATO është domosdoshmëri dhe i ndihmon paqes dhe stabilitetit rajonal.
FSK-ja çdo ditë e më tepër po shndërrohet në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s, falë këmbëngulësisë së pjesëtarëve të saj dhe mbështetjes së përhershme edhe nga institucionet e vendit por edhe nga aleatët tanë perëndimorë, e para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prandaj, një falënderim i veçantë për ShBA-të dhe të gjithë aleatëve tanë të cilët po ndihmojnë në rritjen e profesionalizimin e FSK-së dhe ngritjes së kapaciteteve të saj!
Të nderuar rekrutë dhe ushtarë,
Sot karriera juaj profesionale po merr një drejtim të ri. Ju nuk jeni ata që ishit dje, por jeni bërë ata që do të duhet të jeni nesër. Të gatshëm për t`iu përgjigjur çdo situate, të motivuar dhe të përkushtuar kurdo që atdheu ka nevojë për ju.
Detyra juaj nuk është e lehtë, por është sa me peshë të madhe, po aq edhe fisnike. Nuk ka nder më të madh në jetë se sa t`i bëhesh mbrojtës atdheut. Unë kam besim të plotë në përgatitjen tuaj, sikurse besoj se angazhimi juaj në ushtri do ta ketë referencën e përhershme: atdheu mbi të gjitha!
Të nderuar rekrutë të certifikuar, me ju sot nuk e po e rrisim vetëm numrin e efektivëve të ushtrisë sonë, por edhe sigurinë dhe garancinë për një të tashme e të ardhme më të mirë.
Sytë tanë sot janë nga ju. Shpresa jonë është e varur te ju. Synimi ynë është paqja dhe nuk duhet të lejojmë që ajo të na cenohet nga askush.
Objektivi ynë është BE-ja, është NATO-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare, ku Kosova e meriton të jetë të cilat e forcojnë edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë, krahas forcimit të komponentës së mbrojtjes dhe të sigurisë.
Në cilësinë e Komandantes Supreme të kësaj ushtrie, ju falënderoj rekrutë të dashur, të gjithë instruktorët tuaj, strukturën komanduese të FSK-së si dhe familjet tuaja të cilët ju kanë nderuar edhe ju e gjithë shtetin duke ju përkrahur në çdo hap dhe ju do t’i shërbeni shtetit po ashtu në çdo hap me punën që do e bëni.
Pres nga ju përkushtim dhe angazhim maksimal në përmbushjen e përgjegjësive që burojnë nga misioni fisnik i juaji në mbrojtje të atdheut!
Zoti e bekoftë Forcën e Sigurisë së Kosovës!
Zoti e bekoftë Republikën tonë!
Ju faleminderit!