Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq konfirmon pjesëmarrjen në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur
Gjatë një aktiviteti në Podgoricë, Abazoviq tha se Mali i Zi nuk i është bashkuar kësaj iniciative, por në të kaluarën ka marrë pjese në takimet si vëzhgues.
“Personalisht mendoj se çdo iniciativë rajonale e cila mundet të përshpejtojë integrimet evropiane, jo vetëm të Malit të Zi por krejt rajonit, është diçka që ne duhet të pranojmë. Në anën tjetër, nëse dikush dëshiron të zëvendësojë integrimet evropiane, ne nuk jemi te interesuar. Por, unë ende nuk e kam dëgjuar një argument të vlefshëm që Ballkani i Hapur nuk është i mirë për Malin e Zi”, ka deklaruar Abazoviç.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ftoi Abazoviçin më 25 maj në Davos të Zvicrës që t’i bashkohet takimit të radhës të nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”, në Ohër.
Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.
Megjithatë, kryeministri i ri, Dritan Abazoviç e mbështet konceptin e kësaj nisme.
Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin këtë iniciativë./REL