RajoniTop Lajme

Në Berlin synohet zhbllokimi i dialogut, dhjetë muaj pas takimit të fundit Kurti – Vuçiq

Shpërndaje

Takimi që nuk u mbajt për gati një vit në Bruksel, nesër pritet të zhvillohet në Berlin.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do t’i takojë ndarazi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi Scholz-Kurti do të pasohet nga një konferencë shtypi.

E për në mbrëmje është planifikuar takimi i parë i përbashkët Kurti-Vuçiq, që nga korriku i vitit të kaluar. Ai do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Agjendën e takimeve e ka bërë të ditur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, derisa ka shpalosur edhe temat që do të diskutohen.

“Të dy takimet do të fokusohen në koordinimin e reagimeve të mëtejshme ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, në marrëdhëniet politike dhe ekonomike dhe në bashkëpunimin rajonal. Takimet do të shërbejnë gjithashtu për ta mbështetur dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja”, ka shkruar Rohde.

Sipas korrespondentit të KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, këto takime paraqesin mundësi që Lajçaku ta përmirësojë atmosferën e t’i krijojë rrethanat për bisedime të nivelit të lartë edhe në Bruksel.

“Është e rëndësishme, sidomos për të dërguarin Miroslav Lajçak, që të organizohet nesër edhe takimi i përbashkët i kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë, qoftë edhe si një darkë joformale. Kjo, pasi në Bruksel është e pamundur që të organizohet në këto rrethana një takim i tillë. Vetë shefi i z. Lajçak, përfaqësuesi i lartë Josep Borrell kishte thënë se Bashkimi Evropian nuk do t`i ftojë këta liderë në kuadër të dialogut, nëse nuk ka sinjale të qarta se në takime të tilla nuk do të ketë marrëveshje konkrete”, tha Palokaj.

Si përpjekje për zhbllokimin e dialogut, takimet në kryeqytetin e Gjermanisë i sheh edhe gazetari i Deutsche Welle-s, Bahri Cani.

“Ajo që mund të presim është përfundimisht pra fillimi i një procesi serioz në vazhdimin e dialogut e ajo do të fillojë pra qysh nesër me takimin e përbashkët me ndërmjetësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak, dhe ky është një hap që është pritur pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi, ku presidenti Vuçiq prapë ka fituar një mandat të ri. Prandaj, intensifikimi i dialogut mund të pritet qysh në fazën e parë të këtij muaji, pra të muajit maj e pastaj edhe në qershor e vazhdimi i dialogut me siguri që do të ndodhë edhe në Bruksel”, tha Cani.

Për ish të dërguarin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Wolfgang Petritsch, takimet shpërfaqin synimin e Gjermanisë për parandalimin e hapjes së një fronti të ri, si i ka thënë ai agjencisë serbe të lajmeve, Tanjug.

“Fakti që kancelari Scholz e ka marrë nismën që t’u përkushtohet çështjeve të hapura në Ballkan, për qëllim ka zgjidhjen e problemeve në të cilat Moska mund të shfaqë interesim. Nëse lufta në Ukrainë kundrohet si konflikt evropian, gjë që edhe është, atëherë duhet analizuar çështjet e hapura në territorin e kontinentit evropian, duke tentuar zgjidhjen e tyre, përkatësisht të paktën të pengohet përshkallëzimi. Këto bisedime do të tregojnë se sa është i gatshëm Kurti të tregohet më fleksibil dhe ta japë kontributin në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kujtoj negociatat në Rambuje, kur negociatori rus kishte thënë që për ta vallëzuar tangon nevojiten dy veta. Njëjtë, edhe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës duhet që të dyja palët të tregohen më të përgjegjshme, përkatësisht që Kurti të lëvizë”, tha Petritsch.

Tremë në prag të takimit ka thënë të ketë presidenti i Serbisë. Gjatë vizitës në Greqi, gazetarëve u ka thënë se nuk pret bisedë të lehtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan në kuadër të dialogut më 19 korrik të vitit të kaluar.

Që nga ajo kohë bisedimet ndërmjet dy shteteve janë zhvilluar në nivel ekipesh negociatore.