MaqedoniTop Lajme

Përurohet rruga “Ukshin Hoti” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Shpërndaje

Rruga “Lazar Tanev” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit prej sot edhe zyrtarisht do ta mbajë emrin “Ukshin Hoti” sipas ish-profesorit për të drejtën ndërkombëtare dhe për filozofi në Universitetin e Prishtinës, i cili nga 16 maji i vitit 1999 llogaritet i zhdukur.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, si nikoqir i ngjarjes në fjalimin e tij theksoi se emri i kësaj rruge do ta mbajë gjallë kujtesën e “ideologut të kauzës kombëtare njeriun i cili jetën ia kushtoi Kosovës, ndërsa vdiq duke ëndërruar që ajo një ditë të bëhet shtet me demokraci siç e quante autentike!”

“Emrin e Ukshin Hotit në dokumentet personale do ta mbajnë qindra qytetarë të Komunës sonë të Çairit. Emrin e Ukshin Hotit do ta përsërisin mijëra turistë që kalojnë çdo ditë në këtë rrugë dhe që vijnë nga mbarë bota. Sot të gjithë jemi krenar. Akti i sotëm është me qëllim që të ruhen kujtimet dhe idealet për Ukshin Hotin. Gjurmët e tij janë më të thella sesa që mund të paramendojmë”, tha kryetari i komunës Ganiu.

Drejtori i Arkivit shtetëror të Kosovës, Bedri Ziberaj, i cili njëherit edhe e organizoi ekspozitën e sotme me veprat e profesorit Ukshin Hoti, gjatë promovimit të rrugës së re me emrin e tij theksoi se me këto aktivitete e kujtojmë intelektualin eminent.

“Ukshin Hoti është personalitet simbolik në historinë e rij jo vetëm në Kosovë, por edhe në përgjithësi në shqiptari. Ukshin Hoti është ai kur shpërthyen demonstratat në vitin 1981 ishte i vetmi që doli në mbrojtjen e këtyre demonstratave dhe qëndroi deri në fund të jetës së tij”, deklaroi Ziberaj.

Në ngjarjen e sotme gjithashtu morën pjesë edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, këshilltar komunalë dhe të afërm dhe bashkëpunëtorë të Ukshin Hotit.