Qeveria me komunat nënshkruajnë “Kartën për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme”
Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës organizoi ceremoninë e nënshkrimit të “Kartës për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme”, mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe komunave: Dragash, Drenas, Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Graçanicë, Hani i Elezit, Junik, Kamenicë, Klinë, Malishevë, Mamushë, Mitrovica e Jugut, Obiliq, Podujevë, Prishtinë, Rahovec, Shtime, Skenderaj, Viti dhe Vushtrri.
Nevoja për ndryshime transformuese sa vjen e rritet. Na nevojiten vendime e projekte që forcojnë ekonominë tonë dhe mbrojnë mjedisin në të njëjtën kohë. Zhvillim në harmoni me natyrën, e jo në kundërshtim me të, tha kryeministri Kurti në hapje të kësaj ceremonie.
Për këtë, nevojitet rritje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme, që u përgjigjet të gjithë qytetarëve, ekonomi e së nesërmes që nuk lë jashtë e prapa gratë dhe vajzat, fëmijët e të moshuarit dhe që është në përputhje me Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbështesë projekte përmes së cilave i bëjmë komunat të qëndrueshme në aspektin mjedisor, e përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve, ndikojmë në përmirësimin e performancës ekonomike dhe nxisim inovacione që krijojnë edhe sektorë të rinj të biznesit edhe vende të reja pune.
Në fjalën e saj, znj.Viola Von Cramon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, e përgëzoi Qeverinë dhe komunat për këtë nismë të rëndësishme për Agjendën e Gjelbër.
Përmes Kartës për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme, Qeveria e Republikës së Kosovës synon të përmirësojë performancën ekonomike, të nxisë inovacione për të krijuar sektorë të rinj biznesi, për t’i bërë komunat tona të qëndrueshme në aspektin mjedisor dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës sonë dhe të brezave që do të vijnë.
Fjala e plotë e Kryeministrit:
E nderuara znj.Viola von Cramon, raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën,
Shkëlqesi ambasadorë,
I nderuar kabinet qeveritar, ministra, zëvendësministra,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar kryetarë të komunave të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të organizatave partnere, vendore e ndërkombëtare,
Të dashur aktivistë e aktiviste të kauzës për mbrojtjen e mjedisit,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Zonja dhe zotërinj,
U takuam bashkë më 22 prill, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Tokës kur organizuam ceremoninë e lansimit të Kartës për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme. Transformimi i komunave tona është synimi i kësaj nisme, që na ka bërë bashkë edhe sot, në ceremoninë e nënshkrimit.
Ftesa u është bërë për një ceremoni nën qiell të hapur, e mes gjelbërimit nën hijen e drunjëve e mes cicërimave të zogjëve. Mirëpo kjo u bë e pamundur për shkak të erës së fuqishme. Atë mjedis ne edhe ashtu nuk e hasim shpesh në qytetet tona. Por, këtë e dini ju, secili. Në rrugën tuaj deri këtu keni kaluar poshtë pak drunjëve, e keni dëgjuar pak zogjë. Viteve të fundit, qytetet tona po zgjerohen e rriten, në dëm të natyrës e ekosistemit. Ka shumë më pak zogjë, shumë më pak insekte, përfshirë edhe bletët e disa nga pjalmuesit tek të cilët mbështeten kulturat bujqësore e ushqimore.
Duke degraduar ekosistemet tona, ne rrënojmë themelet e asaj që e bën të mundur mirëqenien – ushqimin, ujin, rregullimin e temperaturës, rritjen ekonomike. Duke mos mbrojtur natyrën, ne rrezikojmë edhe vetë mbijetesën tonë.
Andaj, nevoja për ndryshime transformuese sa vjen e rritet. Na nevojiten vendime e projekte që forcojnë ekonominë tonë dhe mbrojnë mjedisin në të njëjtën kohë. Zhvillim në harmoni me natyrën, e jo në kundërshtim me të.
Për këtë, nevojitet rritje gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme, që u përgjigjet të gjithë qytetarëve, ekonomi e së nesërmes që nuk lë jashtë e prapa gratë dhe vajzat, fëmijët e të moshuarit dhe që është në përputhje me Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike.
Për të arritur zhvillim ekonomik, duke rritur njëkohësisht qëndrueshmërinë mjedisore dhe sigurinë ushqimore, është i domosdoshëm zbatimi i Agjendës së Gjelbër dhe përmbushja e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm.
Arritja e këtyre objektivave, mund të bëhet vetëm në bashkërendim të politikave, projekteve dhe intervenimeve në nivelin lokal dhe në atë qendror. Me bashkëpunim ndërmjet qeverisjes qendrore dhe lokale, qytetarëve, organizatave joqeveritare, medieve e ndërmarrjeve, dhe natyrisht me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbështesë projekte përmes së cilave i bëjmë komunat të qëndrueshme në aspektin mjedisor, e përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve, ndikojmë në përmirësimin e performancës ekonomike dhe nxisim inovacione që krijojnë edhe sektorë të rinj të biznesit edhe vende të reja pune.
Me nënshkrimet e sotme, komunat tuaja, komunat tona, do të përfitojnë mbështetje në politikat për klimën, për energjinë dhe infrastrukturën e qëndrueshme, mbrojtjen e natyrës dhe të biodversitetit, zhvillimin lokal përmes ekonomisë qarkore, zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme të ushqimit, lëvizshmërinë dhe rritjen e kapaciteteve të transportit publik me shkallë të ulët të emetimit, si dhe transformimin digjital i cili është thelbësor për transparencën e proceseve, për llogaridhënien e zyrtarëve dhe gjithashtu për cilësinë e shërbimeve.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Qeveria e Republikës së Kosovës po ecë drejt realizimit të vizionit tonë për mjedisin, me planifikim dhe investime cilësore, me qëllim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe infrastrukturës së integruar, në harmoni me mjedisin e pastër, mirëqenien dhe mobilitetin.
Me Strategjinë Afatgjate të Dekarbonizimit, e cila është në finalizim e sipër, dhe me hartimin e përbashkët të Udhërrëfyesit për Ekonominë Qarkore, do t’i hapim rrugë tranzicionit drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese. Që rritja jonë ekonomike të mos bëhet në kurriz të rritjes së konsumit të burimeve tona natyrore.
Qeveria po punon vazhdimisht për të siguruar që kuadri ligjor i ekonomisë qarkore dhe menaxhimit të mbetjeve të jetë në përputhje me Acquis të Bashkimit Evropian.
Të nderuar kryetarë të komunave,
Është përgjegjësi e jona e përbashkët që t’i mbrojmë burimet natyrore nëpërmjet planifikimit të mirëfilltë strategjik. Që të bëhemi kujdestar të së ardhmes së qëndrueshme, të cilën e kemi me borxh për brezat që vijnë pas nesh.
Planeti tokë nuk ka kontinente të reja për t’i zbuluar por kemi shoqëri të re për të ndërtuar. E këtë shoqëri të re duhet ta ndërtojmë në secilin kontinent e shtet, në secilën komunë e lagje, që mjedisi ku banojmë të jetë shtëpi e jetueshme për të gjithë, me dysheme të fortë sociale dhe kulm solid ambiental.
Ceremonia e sotme rithekson edhe një herë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ta vazhduar bashkëpunimin e mëtutjeshëm me komunat, duke ofruar mbështetje në dizajnimin e politikave të integruara të zhvillimit urban, ekologjik e social. Këtë bashkëpunim po e formalizojmë sot me nënshkrimin e Kartës së Gjelbër, e do ta bëjmë bashkë realitet, duke jetësuar zotimet për komuna të gjelbra dhe të qëndrueshme.
Ju falemnderit të gjithëve.
Lajmi: Qeveria me komunat nënshkruajnë “Kartën për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme”