Rajoni

Shkullaku: Kurti mund të hyjë në histori si njeriu që i dha zgjidhje finale dialogut

Shpërndaje

Opinionisti Armand Shkullaku, ka thënë se çështja mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë më nën mbikëqyrjen kryesore nga Brukseli, ndërkohë që thotë se drejtimin e dialogut mund ta marrin vetëm Gjermani dhe Franca.

“Shoh një vullnet më të madh për ta anashkaluar Brukselin, mund të marr një rol më të madh Gjermania, edhe Franca po ashtu pas zgjedhjeve“, tha Shkullaku në Rubikon të Klan Kosovës.

Shkullaku, duke u bazuar në deklaratat e Kurtit, tha se Gjermania është pajtuar me Kurtin sa i përket mendimit për Ballkanin e Hapur.

“Deklarata e Kurtit kundër Ballkanit të Hapur, pas takimit me kancelarin Scholz, mendoj se ka marrë dritën jeshile nga Gjermania për t’i vënë kryq edhe atij plani, si një tjetër aventurë, e ca personazhve që drejtojnë shete të korruptuara, siç është Vuçiqi dhe Edi Rama”, tha Shkullaku.

“Kurti vazhdimisht ka pasur si politikë të tij integritetin territorial të Kosovës, dhe ai ndarjen e Kosovës e quan si diçka të dëmshme për vendin e tij”.

Tutje Shkullaku tha se ShBA-të dhe Gjermani do të kenë rol kyç në dialogun Kosovë – Serbi.

“Që nga fundi i luftës së ftohtë, e deri në ardhjen e administratës Trump, çdo administratë amerikane, veçanërisht kur ka qenë puna për Ballkanin dhe për pjesët e Evropës Lindore, ka pasur partner serioz Gjermaninë. Pra nuk është zgjidhur çështje në Ballkan apo në Lindje pa u koordinuar me Gjermaninë”.

Opinionisti po ashtu foli për qasjen e administratës Biden ndaj Evropës dhe Ballkanit.

“Administrata Biden ka evidentuar dy elemente: ka rikthyer prapë rolin e bashkëpunimit me Evropën dhe veçanërisht me Gjermaninë, dhe e dyta, ka vendosur një nga kriteret kryesore politikat në Ballkan; luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e demokracisë, duke filluar nga sanksionet për politikanë të korruptuar dhe vëzhgimin me kujdes të hapësirave demokratike”., tha ai.