BotaTop Lajme

Suedia-Erdoganit: Pas Turqisë, jemi të parët që PKK-në e kemi shpallur organizatë terroriste

Shpërndaje

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, theksoi se vendi i saj është i pari pas Turqisë që ka vendosur PKK-në në listën e organizatave terroriste dhe se ky qëndrim nuk ka ndryshuar, shkruan AA.

Në një postim nga llogaria e saj Twitter, Linde ka thënë se “për shkak të dezinformimit të përhapur, dëshiron të rikujtojë se Suedia është vendi i parë që ka njohur PKK-në si organizatë terroriste”.

Ajo rikujtoi se vendimi është marrë në periudhën e qeverisë Olof Palme dhe se Bashkimi Evropian e ka ndjekur atë në vitin 2002.

Më tej ministrja Linde shtoi se “ky pozicion nuk ka ndryshuar”.

PKK-ja është bërë mollë sherri mes Suedisë, Finlandës e Turqisë.

Turqia, anëtare e kamotshme e NATO-s, ka shprehur kundërshtime ndaj kërkesave të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në këtë aleancë, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste, përfshirë PKK-në.

Përfaqësues të lartë të Finlandës dhe Suedisë do të vizitojnë Turqinë në ditët në vijim për të zhvilluar bisedime zyrtare në Ankara, ku do të diskutojnë proceset e pranimit të tyre.