Maqedoni

ASH: Si e shfrytëzoi dhe si e “bleu” BDI objektin te Telekomi!?

Shpërndaje

Po ndodhemi para objektit të cilin së fundmi e ka blerë Bashkimi Demokratik për Integrim, duke u bërë kështu një nga partitë më profitabile, apo e vetme në një kohë që qytetarët dhe kompanitë e tjera ballafaqohen me krizë të rëndë ekonomike. Blerja e objektit në tre katë dhe me një sipërfaqe prej 1400 metër katror ngrit shumë dyshime të rënda, që paraqesin lëndë për punë të hetuesisë dhe prokurorisë.

Në hulumtimet e mediave është mësuar se ky objekt ka qenë në pronësi të një kompanie private, e cila më pas ia ka shitur një kompanie të dytë, për të përfunduar në fund duke e blerë BDI. Nga kompania kanë thënë se objekti nuk është dhënë me qera, ndërsa, të gjithë tetovarët janë dëshmitarë se për vite të tëra këtu ka qëndruar mbishkrimi i Forumit Rinor të BDI-së. Pyesim në çfarë baze e ka shfrytëzuar BDI në të kaluarën këtë objekt. Kompania që e ka poseduar fillimisht këtë objekt, njihet si një nga kompanitë më profitabile që ka fituar edhe shumë tenderë nga institucione që udhëhiqen nga funksionarë të BDI-së.

Nga kjo parti kanë thënë se për blerjen e objektit kanë marrë kredi prej 900.000 euro të cilën do ta kthejnë për 7 vite. Kjo i bie se BDI do të duhet të kthejë nga 128 mijë euro në vit, pa llogaritur këtu kamatën. Ku do ti merr këto para BDI, nga është e sigurtë se do ti sigurojë.

Duam të njoftojmë opinionin poashtu se për koincidencë, pjesën tjetër apo më të madhe të këtij objekti gjigand e posedojnë Posta e Maqedonisë dhe kompania Telekom, që në Maqedoni hyri si investim i kompanisë Maxhar Telekom. Çfarë koincidence!?