Biden thotë se është në dorën e Ukrainës “nëse duhet të lëshojë pjesë të territorit”
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se varet nga Ukraina kur u pyet “nëse ky vend duhet të lëshojë një pjesë të territorit” për të arritur paqen dhe për t’i dhënë fund agresionit.
Në këtë drejtim, ai u ka thënë gazetarëve të premten se “Unë nuk do t’u them atyre se çfarë duhet dhe çfarë duhet ose nuk duhet të bëjnë”, përcjell Telegrafi.
“Që nga fillimi, unë kam thënë – dhe jo të gjithë janë dakord me mua – asgjë për Ukrainën pa Ukrainën. Është territori i tyre. Unë nuk do t’u them atyre se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjnë”, ka thënë Biden në Rehoboth, Delaware.
Biden shtoi se “duket” në një moment se do të duhet të ketë një “zgjidhje” midis dy vendeve, duke shtuar “çfarë nënkupton kjo, nuk e di”.
Sidoqoftë, Biden tha se ndërkohë, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i vënë ukrainasit në një pozicion ku ata mund të mbrohen.
Ndërkohë në një vlerësim të fundit të inteligjencës nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar thuhet se aktiviteti ajror i Rusisë “mbetet i lartë” mbi Ukrainën lindore dhe ka kontribuar në “sukseset e fundit taktike” të Rusisë, por “ka dështuar të ketë një ndikim domethënës në konflikt”.
“Rusia ka qenë në gjendje të rrisë përdorimin e saj të ajrit për të mbështetur avancimin e saj zvarritës, duke kombinuar sulmet ajrore dhe zjarret masive të artilerisë për të vënë në jetë fuqinë e saj dërrmuese të zjarrit”, ka thënë MD në një përditësim të saj të rregullt mbi situatën në Ukrainë.
Ekspertët dhe analistët e mbrojtjes kishin ngritur shqetësime se Rusia mund të rrisë përdorimin e armëve, duke përfshirë sulmet ajrore, ndërsa intensifikon operacionin e saj për të kapur rajonin e Donbasit.
Armët e tilla priren të shkaktojnë një numër më të madh të viktimave civile. /Telegrafi/