Çavushoglu lidhur me korridorin e grurit: Si Türkiye ne e shohim si plan të zbatueshëm
Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiye-s (Turqia), Mevlüt Çavuşoğlu, lidhur me produktet e drithërave që do të eksportohen në botë nga Ukraina dhe Rusia, ka deklaruar se Türkiye e sheh si plan të zbatueshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu dhe homologu i tij rus, Sergey Lavrov, pas takimit të tyre në Kompleksin Presidencial në Ankara u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.
Duke folur rreth produkteve të drithërave që do të eksportohen në botë nga Ukraina dhe Rusia, kryediplomati turk tha se, “Bëhet fjalë për një mekanizëm që mund të krijohet mes OKB-së, Rusisë, Ukrainës dhe Türkiye-s. Si Türkiye ne e shohim si plan të zbatueshëm”.
“Ne shohim se ka një atmosferë më pozitive në krahasim me disa javë më parë lidhur me rikthimin në negociata”, theksoi Çavuşoğlu për negociatat Rusi-Ukrainë.
Takimi i parë dhe i fundit i nivelit të lartë që nga fillimi i luftës i ministrave të jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë u zhvillua më 10 mars në margjinat e Forumit të Diplomacisë në Antalya të Turqisë, ndërsa më 29 mars negociatorët nga të dy vendet u takuan në Stamboll.
Ndër të tjera, kryediplomati turk gjatë deklaratës së tij në konferencë u ndal edhe për zhvillimet në Siri, sipas të cilët “organizatat terroriste që rrisin kërcënimet e tyre edhe ndaj integritetit territorial të Sirisë edhe ndaj nesh, duhet të pastrohen nga ky vend”.
– Lavrov: Nëse pala ukrainase është gati për aktivitetet e çminimit, edhe ne jemi
Nga ana tjetër, kryediplomati rus, lidhur me korridorin që planifikohet të hapet në Detin e Zi theksoi se u kushtojnë shumë rëndësi përpjekjeve të miqve të tyre turq, duke i cilësuar si “shumë të rëndësishme”.
“Nëse pala ukrainase është gati për aktivitetet e çminimit, edhe ne jemi”, tha Lavrov.
“Jemi gati për të punuar gjithsesi për sigurinë e anijeve që dalin nga portet e Ukrainës. Jemi të gatshëm që ta bëjmë këtë bashkë me homologët tanë turq”, shtoi ai.
Më tej, ai deklaroi se opinioni publik i di shumë mirë objektivat e operacioneve të tyre ushtarake dhe se do t‘i arrijmë këto objektiva.
Duke folur rreth zhvillimeve në Siri, Lavrov tha se, “Marrim parasysh ndjeshmëritë e miqve tanë turq lidhur me kërcënimet që janë krijuar në kufijtë e saj (me Sirinë) nga forcat e jashtme”.
Ai po ashtu shtoi se në Siri “SHBA po ushqen në mënyrë të paligjshme disa organizata”.