RajoniTop Lajme

Kurti: Serbia duhet të kërkojë falje për krimet në Kosovë, në mënyrë që të arrihet pajtimi

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet që ka kryer në Kosovë gjatë luftës.

Derisa ka folur në konferencën e Lidershipit në Ballkan “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi në Ballkanin Perëndimor” të organizuar nga Federata Universale e Paqes, Kurti tha se krimet e Serbisë në Kosovë nuk duhet harruar asnjëherë dhe duhet kërkuar drejtësi.

Kurti shtoi se për t’u arritur pajtimi, duhet të bëhet kërkim-falja dhe të pranohen krimet që ka kryer Serbia.

“Gjithçka do të kishte rrjedh tjetër sikur kreu politik dhe ushtarako policor i Beogradit të mos impononte politikën agresive e gjenocidale ndaj shqiptarëve. Për pasojë ndodhi krimi i vazhdueshëm i Serbisë që dëmtoi të dy popujt dhe shkaktoi tragjedinë e katastrofën humanitare të cilën duhet kurrë të mos e harrojmë por të kërkojmë që të vendoset drejtësia e të bëhet kërkim-falja e pranimi i krimit, në mënyrë që të arrihet pajtimi”, tha Kurti.

Kryeministri tha se ëndrrat për paqe të qëndrueshme shihen aty ku janë përjetuar ankthet e paharrueshme të luftës.

“Ëndrrat më të mira për paqe të drejtë, të qëndrueshme e të pacenueshme shihen atje kur janë përjetuar ankthet e paharrueshme të luftës. Njerëzit tanë janë të etur dhe të dëshiruar për siguri dhe zhvillim të drejtë e gjithëpërfshirës, por koha që po jetojmë dhe konteksti gjeopolitik, gjeoekonomik e gjeostrategjik rreth nesh dhe drejt nesh duhet se nuk janë aq mirë e premtues për një paqe të vërtetë, të drejtë e të qëndrueshme. Paqen e brishtë aktuale dhe paqen e qëndrueshme perspektive e rrezikojnë edhe sot tendencat për konflikt të ngrirë, tendencat për bllokim të gjithanshëm të proceseve të normalizimit, zhvillimit, demokratizimit, afrimit, bashkëpunimit e integrimit si brenda secilit vend ashtu edhe në dimensione euroatlantike e globale, e gjithë kjo për ndërmarrje revanshiste e prapakthyese”, tha Kurti.