Qershitë mbetën pa shitur, Rama: Fermerët dalin dhe mallkojnë në media, mungon dija
Mungesë të dijes dhe informacionit e ka cilësuar kryeministri Edi Rama faktin që fermerët në vend hedhin produktet e tyre pasi nuk ka treg për shitje.
Në konferencën “Bujqësia me Teknologji dhe Inovacion”, kreu i qeverisë tha se dija luan një rol të rëndësishëm në këtë sektor. Rama iu referua hedhjes së qershive nga fermerët në vend, ndërsa si shembull solli fermerë të tjerë që kanë nxjerrë të ardhura po nga këto qershi. Për këtë kryeministri theksoi se ministria duhet të bëjë më shumë me transferimin e dijes.
“Edhe këtu në territorin e bujqësisë sonë ka jo pak shembuj zhvillimi dhe suksesi. E gjitha lidhet me dijen sepse vullnet për të punuar tokën ka. Ata që dalin në dalin në televizor duke mallkuar shtetin, nuk iu mungon vullneti apo djersa, jo. Por ajo ca bën diferencën është dija, e cila lidhet me informacionin dhe këtu i takon qeverisë të bëjë edhe më shumë. Por i takon edhe vetë fermerëve të bëjnë më shumë.
Nuk ka nevojë të na dëgjojë askush ne, mjafton të marri mundimin dhe të shikojë si bëjnë të tjerët. Dalin në tv pamjet e disa fermerëve që hedhin qershitë dhe bërtasin për subvencione dhe për qeverinë dhe kjo duhet të ishte shqetësuese në rast se kështu do të ndodhte me të gjithë qershitë e Shqipërisë. Ndërkohë që ka të tjerë që po me këto qershi bëjnë sukses. Atëherë cili është dallim midis të parëve dhe të dytëve? Disa e hedhin dhe disa bëjnë të ardhura të larta. Atëherë çfarë duhet bërë? Ata fermerë duhet të marrin mundimin të shkojnë te ata të tjerët dhe të thonë ore si e bëni. Dhe e dyta i takon ministrisë që të ndërtojnë këto ura komunikimi për të transferuar dijen e krijuar nga njerëzit në territor”, tha ai. g.v/abcnews.al