Vuçiq: Ta ndihmojmë njëri-tjetrin për t’i mbijetuar dimrit
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në fjalim në Samitin “Ballkani i Hapur” në Ohër, deklaroi se kjo është nismë e njerëzve nga Ballkani dhe shfaqi bindje se do ta mbështesin gjithnjë e më shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, por edhe vende tjera të rajonit.
“Kjo është diçka e pandalshme, një ide e mirë dhe me kalimin e viteve do të ketë gjithnjë e më shumë mbështetës. Unë gjithmonë dua t’i përmbushim marrëdhëniet tona me thelbin, ndaj mendoj se është e rëndësishme që në takimin e ardhshëm të formohen menjëherë grupet e punës, të cilat i propozoj të jenë diku në Serbinë jugore, para samitit të madh që kemi dhe panaireve në fund të verës në Beograd. Le të biem dakord të formojmë grupe pune që do të kujdesen se si të kapërcejmë vështirësitë me rezervat ushqimore dhe në fushën e energjisë, si të ndihmojmë njëri-tjetrin për të mbijetuar dimrin, sepse mendoj se është me interesin më të madh për të gjithë qytetarët e vendit tonë tre shtete dhe i gjithë rajoni. Në formimin e atyre grupeve punuese dhe atyre marrëveshjeve, nëse duan të marrin pjesë, janë të mirëseardhur përfaqësuesit e Malit të Zi, BeH, Prishtinës, kushdo që dëshiron”, tha Vuçiq në fjalimin e tij.
Siç tha ai, e rëndësishme është përshpejtimi i të gjitha projekteve të përbashkëta.
“Sot nënshkruajmë marrëveshje për diploma me të cilën do të përshpejtohen të gjitha proceset rreth lejeve të punës. Ejani të shohim çka kërkojnë tjetër njerëzit nga ne, t’i dëgjojmë odat tona ekonomike, çka mund të lehtësojmë në tregtinë me mallrat, kapitalin, njerëzit dhe shërbimet, çka mund të bëjmë për turizmin dhe tërheqjen e qytetarëve serb në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut dhe t’i ftojmë miqtë tanë shqiptarë dhe maqedonas ta vizitojnë Serbinë”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se është krenar që nga një nismë të cilën askush nuk e ndiqte, “Ballkani i Hapur” sot u shndërrua në diçka për të cilën të gjithë janë të interesuar.
“Kjo është e vetmja gjë që askush nuk mund të na ndalojë, kjo varet vetëm nga ne. Marrëdhënia jonë me fqinjët varet gjithmonë nga ne. Ne presim helikopterë që i kemi blerë shtesë të specializuar në zjarrfikje dhe do të jemi të gatshëm në çdo kohë që të ndërhyjmë dhe të ndihmojmë miqtë tanë shqiptarë dhe maqedonas”, shtoi presidenti serb.
Ai theksoi se pret ndihmë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe në “disa fusha të tjera dhe për disa gjëra të tjera”.
“Kam shumë entuziazëm dhe shpresë, ambicie dhe dëshirë për të bërë gjëra të mëdha. Falë (Gabriel) Eskobarit dhe amerikanëve që e mbështetën këtë nismë. Dritan, Zoran, jeni gjithmonë të mirëpritur, nuk e kam atë sindromën e faljes që duhet të them çdo ditë që të lutem eja… Nëse do eja, eja, nëse nuk do – është dëshira jote, askush nuk do ju detyroj, nuk janë këto disa organizata të tjera”, tha Vuçiq, duke shtuar se ai shpresonte se një samit mund të organizohej në një nga dy vendet deri në fund të vitit./tv21