Ziadin Sela: ‘Open Balkan’ duhet të mbyllet si projekt! Kushti për Serbinë, njohja e Kosovës
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Ziadin Sela, i ftuar në studion e Syri Tv u shpreh kundër nismës së ‘Open Balkan’. Sela deklaroi se nismat rajonale duhet të përfshijnë edhe Kosovën.
Ai shtoi se bashkëpunimi mes shteteve të Ballkanit përmes një nisme të tillë, pa njohur Serbia pavarësinë e Kosovës, nuk mund të ndodhë dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit rajonal.
“Unë si deputet dhe kryetar i Aleancës kam dalë dhe kam folur për këtë çështje. Ne si subjekt politik jemi kundër kësaj iniciative. Sepse vlerësojmë se iniciativat rajonale bazën kryesore duhet të kenë interesat gjeopolitke që duhet të kenë shtetet pjesëmarrëse. Përsa kohë që brenda këtij unioni të menduar mungon një interes gjeopolik i përbashkët i shteteve anëtare ne e shohim me skepticizëm. Aq më tepër që kur flitet për një shtet si Serbia që ka çështje të hapura me Kosovën dhe çështje të hapura me shqiptarët.
Kur përmend Kosovën nuk mund të flitet pa përfshirë të gjithë shqiptarët. Iniciativat rajonale duhet ta bëjnë Ballkanin më të paqtë, më të qetë, më stabël dhe rruga e kësaj iniciative rajonale të quajtur Ballkani i Hapur patjetër që duhet të shkojë nëpërmjet Prishtinës dhe jo nëpërmjet Tiranës dhe Shkupit. Parakushti i krijimit të këtij unioni duhet të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe vetëm në atë moment mund të flitet për iniciativa. Janë shumë tema që ne si popull nuk duhet t’i harrojmë, sepse nga viktima kemi parë që kemi nisur të akuzohemi si agresorë.
Nëse marrim historinë nga e kaluara, luftërat ballkanike në fillim të shekulli XX ishin gjysmëmilionë shqiptarë që u vranë nga ushtarët serbë në Kosovë, në Maqedoni, në Shkup, janë kronikat e gazetarëve dhe politikanëve të kohës që flasin për masakra të papara të bëra në kurriz të shqiptarëve. Dhe këto janë kaluar në heshtje pa kërkuar falje nga ana e shteteve të mëvonshme Jugosllavia e Serbia. Nëse nuk kërkojmë që të ketë kërkim falje, fatkeqësisht mund të riciklohet dhe të përsëritet historia, siç ndodhi me luftën e Kosovës në fund shekullin e kaluar”, u shpreh Sela, duke shtuar se ‘Open Balkan’ duhet të mbyllet si projekt.
“Vuçiç nuk njeh Kosovën dhe si i tillë është projekt i dështuar dhe për mua është e pakuptimë që çdo politikan shqiptar, kushdo qoftë ai, të jetë për këtë ide. Sepse atëherë po dalin qëllimet e njëmendëta që ka presidenti i Serbisë dhe Serbia që në këtë proces dhe presioni që ka edhe nga faktori ndërkombëtar prej vitesh që një ndër kushtet vendimtare për anëtarësimin e Serbisë në BE, hapi i fundit, i është bërë e qartë që nga koha e Merkel, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE pa njohur pavarësinë e Kosovës. Si i tillë nuk guxon asnjë politikan shqiptar që t’i krijojë një bypass presidentit Vuçiç dhe Serbisë në këtë rast dhe ky bypass që fatkeqësisht anashkalon pavarësinë e Kosovës, që nëpërmjet Ballkanit të Hapur të bëhet një faktor vendosës që do ta çojë Serbinë edhe drejt BE, pa njohur pavarësinë e Kosovës. ”Dhe si i tillë unë mendoj që nga çdo politikan shqiptar, të quhet projekt i mbyllur dhe asgjë tjetër”.