Maqedoni

Konsultimet për propozimin francez, Kovaçevski sot takon Selën

Shpërndaje

Vazhdojnë konsultimet për propozimin francez për fillimin e negociatave inkuadruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Për sot në orën 11 në klubin e deputetëve është caktuar takim i kryeministrit Dimitar Kovaçevski me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

Kryeministri Kovaçevski dje në një prononcim për media ka konfirmuar se ka pasur një bisedë telefonike me Selën dhe ka paralajmëruar se me gjasë sot do t’ia paraqesë propozimin francez.

Konsultimet e gjera për propozimin francez filluan të premten së pari me partnerët e koalicionit në Qeveri, disa prej të cilëve tashmë janë shprehur pozitivisht për propozimin dhe disa pritet ta bëjnë këtë në periudhën e ardhshme.

Dje, kryeministri Kovaçevski mbajti takim edhe me liderin e partisë më të madhe opozitare Hristijan Mickoski. Për VMRO-DPMNE-në propozimi francez është i papranueshëm. Mickoski pas takimit deklaroi se i ka propozuar Kovaçevskit dy opsione – ta refuzojë propozimin, ndërsa VMRO-DPMNE të tërhiqet nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare ose nëse Kovaçevski beson se me propozimin është siguruar identiteti, atëherë duhet të fshihen katër pika.

Propozimi francez dje ishte shqyrtuar edhe nga ana e Këshillit të Sigurisë të cilin e konvokoi presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, Shefi i shtetit pas seancës në konferencë shtypi deklaroi se propozimi francez është i pranueshëm. Me pranimin e propozimit, siç citoi, e heqim bllokadën bullgare e cila zgjat më shumë se dy vjet dhe lejohet formalisht hapja e negociatave pas 17 viteve pritje. Mundësohet skrining procesi, që është fazë e obligueshme para bisedimeve për klasterët – kapituj dhe më e rëndësishmja, siç tha ai, është se identiteti maqedonas nuk cenohet me asgjë, sepse përcaktimi themelor për gjuhën maqedonase në propozim ka formulim të pastër pa fusnota.

Propozimi francez në vend mbërriti të enjten pas së cilës kryeministri Kovaçevski paralajmëroi proces të gjerë konsultativ me koalicionin qeveritar, presidentin e shtetit, Kuvendin, opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspert dhe opinionin e gjerë në vend.