KSI: Gjendja me pandeminë është stabile, nuk do të ketë masa të reja kufizuese
Komisioni i Sëmundjeve Infektive në Maqedoni ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën ka diskutuar për gjendjen me COVID-19 në vend.
Pas përfundimit të mbledhjes, zëdhënësi i KSI-së Zllate Mehmedoviq, në konferencë për shtyp njoftoi se Komisioni ka vlerësuar se gjendja është stabile dhe se nuk ka nevojë për të vendosur masa kufizuese.
“Gjendja me pandeminë është stabile. Sistemi shëndetësor ka hapësirë në spitale për të menaxhuar me të infektuarit. Vlerësojmë se ende jemi në zonën e gjelbër dhe se nuk ka nevojë për të vendosur masa të reja shtrënguese”, tha mes tjerash Mehmedoviq.
Ai shtoi se vlerësimi se gjendja është stabile është bërë duke marrë parasysh vendet e lira nëpër spitale.
Mehmedoviq sërish iu bëri thirrje qytetarëve që t’u përmbahen rekomandimeve për mbrojtje nga COVID-19.