Kurti takohet me mërgimtarët në aeroport, thotë se përmes shërbimeve po përpiqen ta lajnë borxhin e madh që e ka Kosova ndaj tyre
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së diel ka vizituar ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Kreu i qeverisë është takuar me bashkatdhetarët që po vijnë për pushime në vendlindje.
“Sot e vizitova aeroportin e Prishtinës dhe bashkëbisedova me bashkatdhetarët tanë, të cilit porsa kishin ateruar dhe po prisnin ta merrnin bagazhin dhe të shkonin në vendlindjen e tyre. Bashkëbiseduam për shërbimet në aeroport, por gjithashtu edhe për shpresat e tyre për të ardhmen”.
Kurti tha se Kosova u ka borxh bashkatdhetarëve për shkak se kanë ndihmuar në çlirimin e vendit.
“Ne u kemi shumë borxh për shkak se ata me dërgesat e tyre me dijen e tyre me aftësitë e tyre me historikun e tyre e kanë ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme çlirimin e Kosovës por edhe zhvillimin e demokratizimin e saj”, tha ai.
Ai shtoi se përmes shërbimeve që ofrojnë në ANP, “po përpiqemi ta lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që e kemi ndaj tyre”.
Ai i njoftoi se Ministria e Punëve të Jashtme ka hapur dyert për mërgimtarët të cilët duan të angazhohen për gjashtë muaj në këtë ministri.
“Qeveria e Republikës së Kosovës së fundmi ka marrë një vendim që i inkurajon bashkatdhetarët tanë të angazhohen për gjashtë muaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kuadër të programit të diplomacisë qytetare”, ka thënë Kurti.
Ai gjatë kësaj vizite foli edhe për platformën e-Kosova.
“Gjithashtu edhe në e-Kosova ne ofrojmë nxjerrjen online të certifikatave të gjendjes civile, të ekstraktit të lindjes, të martesës që po ashtu është një lehtësim për bashkatdhetarët tanë, të cilëve ne u kemi shumë borxh, për shkak se ata me kërkesën e tyre, aftësinë e tyre, historikun e tyre e kanë ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme edhe çlirimin e Kosovës, por edhe zhvillimin e demokratizimit të saj, prandaj oferta jonë me Valën është një mënyrë se si përpiqemi të lajmë një pjesë të vogël të borxhit që e kemi ndaj tyre”, ka thënë Kurti.
Theksojmë se të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë (BQK) tregojnë se gjatë katër mujorit të parë të 2022-së, diaspora ka dërguar 18 milionë euro më shumë.
Për këtë periudhë, vlera më e lartë ishte gjatë muajit prill me 110.1 milionë euro nga totali prej 351.5 milionë euro.