Mediat bullgare: Me “propozimin francez” Bullgaria fitoi vetëm përfshirje të bullgarëve në Kushtetutën e RMV
Të vetmen gjë që e fitoi Bullgaria nga “propozimi francez” për zhbllokimin e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut është përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e vendit para fillimit të bisedimeve për klastere, e jo siç dëshironte Shkupi para përfundimit të procesit negociues për anëtarësim, vlerëson portali bullgar “Fakte.bg” në komentin kushtuar fillimit të bisedimeve me BE-në.
Sipas autorit të komentit, përveç kësaj, Bullgaria nuk arriti ta mbrojë qëndrimin e saj për gjuhën maqedonase, ndërsa nuk ka marrë as garanci të mjaftueshme për zbatimin e kërkesave në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë nga viti 2017.
“Si atëherë mund të supozojmë se propozimi është i mirë për ne? De fakto, ky propozim është ‘mace në thes” dhe vetëm nacional-nihilistët jashtëzakonisht të papërgjegjshëm munden në bazë të informacioneve që i kanë në dispozicion të thonë se është i mirë”, vlerëson “Fakte.bg”.
Sipas portalit, manipulim i pastër i përfaqësuesve të autoriteteve në Sofje është pohimi se me “propozimin francez” janë mbrojtur interesat bullgare “me precedentin marrëdhëniet dypalëshe ndërshtetërore të përfshihen në kornizën evropiane për procesin e bisedimeve”.
“Por e vërteta është se interesat tona nuk janë fare të mbrojtura plotësisht, sepse nuk ka përfshirje të qartë të të gjitha kërkesave nga protokolli 4+1, por në fakt vetëm dy prej tyre – për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për kufizimin e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit (pa specifikuar). Problemi me refuzimin e Shkupit për të objektivizuar historinë dhe për të ndalur falsifikimet, ndryshimin e librave dhe tabelave dhe rehabilitimin e viktimave të komunizmit nuk përmendet në mënyrë eksplicite. Për sa i përket gjuhës, parashikohet të nënshkruhen disa deklarata të njëanshme, të cilat janë qartazi në drejtim multiperspektiv, sepse në të kundërtën do të ishte një deklaratë e përbashkët, e cila nuk do të ishte në interesin tonë”, përfundon “Fakte.bg”.
Sipas portalit, nuk janë të sakta as pohimet e autoriteteve bullgare se “bisedimet për anëtarësim mund të ndërpriten në çdo moment, nëse konfirmohet mospërmbushja e marrëveshjes”.
“Teorikisht, ne mund të vëmë veton në çdo kapitull të negociatave, nëse kemi argumentet e nevojshme. Megjithatë, shumica e kapitujve – Unioni Doganor, Unioni Ekonomik, Politika Sociale, Energjetika, Bujqësia, Statistika, Peshkimi, Mjedisi Jetësor, Kontrolli Financiar etj. – nuk kanë të bëjnë fare me kërkesat tona”, shtohet në tekst.
Sipas autorit të komentit, në praktikë, vetëm një pjesë e vogël e kushteve bullgare, por madje as ajo nuk është e sigurt, do të mund të përfshihen vetëm në kapitujt Arsim dhe Kulturë, Politika Rajonale, Marrëdhëniet e Jashtme dhe Vlerat fondamentale.
“Por ne nuk do të mund të kërkojmë asgjë konkrete apo thelbësore gjatë negociatave nëse kërkesat tona në vëllimin e tyre të plotë nuk përfshihen në kornizën e negociatave”, përfundohet në komentin e “Fakte.bg”.