RajoniTop Lajme

Meta i bashkohet Kurtit në kundërshtimin e Ramës: Përkrahim vetëm nismat gjithëpërfshirëse, sikurse Procesi i Berlinit

Shpërndaje

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka qëndruar në Kosovë ku është pritur nga drejtuesit e institucioneve shtetërore.

Meta përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar lartë pritjen që i ka bërë kryeministri Kurti, derisa ka thënë se me të ndajnë vlerësime të njëjta për bashkëpunimet rajonale, apo iniciativën e Ballkanit të Hapur.

“Shumë e përzemërt pritja nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të cilin pata kënaqësinë të zhvilloja një bisedë tepër të frytshme”.

“Duke vlerësuar marrëdhëniet vëllazërore mes vendeve tona dhe potencialin e jashtëzakonshëm për forcimin e tyre, theksova rëndësinë e konkretizimit efikas të marrëveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara”, ka shkruar Meta.

I pari i Shqipërisë ka përshëndetur iniciativat për realizimin e projekteve të përbashkëta me theks të veqantë hekurudhën Durrës-Prishtinë.

“Jetik realizimi i projekteve të përbashkëta që afrojnë edhe më shumë qytetarët tanë, si ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë, me impakt në ekonominë e të dy vendeve dhe të rajonit, që do na bashkojnë më shumë dhe do ndalnin hemoragjinë demografike që na ka prekur”.

Ai ka thënë se nevojitet më shumë koordinim edhe në politikën e jashtme dhe rajonale, në përputhje me qëllimin e përbashkët të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Lidhur me bashkëpunimin rajonal, ndamë të njëjtin vlerësim në përkrahje vetëm të nismave gjithëpërfshirëse, sikurse Procesi i Berlinit”, ka shkruar tutje Presidenti i Shqipërisë.

Meta ka thënë se Kosova është bërë shembull i demokracisë, luftës kundër krimit e korrupsionit, sundimit të ligjit dhe europianizimit në rajon.

“Kjo është e vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare, që meriton sa më parë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj”, përfundon shkrimin presidenti Meta.