Meta në Sigurimin e Shtetit? Nikolla: Rasti është tronditës, duhet të reagojmë
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, tha se rasti i bërë publik nga Autoriteti i Dosjeve për përfshirjen e ish-Presidentit Meta në Sigurimin e Shtetit e bën të detyrueshëm reagimin e institucionit që ajo drejton.
“Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër. Prandaj kam thërritur kryetarët e grupeve parlamentare. Dua të falënderoj Autoritetin e Dosjeve për reagimin e drejtë dhe kurajon për adresimin e këtij rasti. Në respekt të ligjit nuk mund të flas më shumë në këtë fazë”, tha Nikolla.
Fatmir Mediu tha se nuk ka mësuar emra të përveçëm nga Nikolla, por shtoi se uron që çështje të mos ketë nuanca politike. “Autoriteti ka paraqitur një dosje për kërkesë për ndryshime ligjore. Do të diskutojmë me kolegët e grupit se kush është qasja politike dhe ligjore. Do të shpresoja që të mos jetë kazus politik. Nuk jam njohur me emrat e veçantë, por ligjet nuk bëhen për individët, por çështje të caktuara. Kuvendi duhet të mbajë një qëndrim të qartë”, tha ai.
Ndërsa Mesila Doda, gjithashtu e pranishme në mbledhjen e kryetarëve të grupeve parlamentare, tha se emrat e personave të përfshirë në Sigurimin e Shtetit duhen bërë publikë. “Nuk mund të vazhdojmë më me iniciale, duhet të dalin me emra dhe kryetarja e Kuvendit të kërkojë pastërtinë e figurës për të 140 deputetët”, tha ajo.