RajoniTop Lajme

Nënshkruhet Marrëveshja mes Kosovës dhe MCC, vlera 236.7 milionë dollarë

Shpërndaje

Nënshkruhet Marrëveshja mes Kosovës dhe MCC dhe nënshkrimi është bërë në një ceremoni të organizuar në Kongresin amerikan, nga Alice P. Albright, shefe ekzekutive e MCC-së dhe Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, teksa të pranishëm kanë qenë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Përmes kësaj marrëveshje Kosova përfiton dy projekte, që njëherësh konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje MCC mëton ta ulë varfërinë në Kosovës përmes rritjes ekonomike dhe furnizimin e qëndrueshëm energjetik.

Marrëveshja e nënshkruar në Uashington do të duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave.Para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Alice Albright, kryeshefe e MCC-së e ka falënderuar ekipin për të cilin ka thënë se e ka bërë një punë të mrekullueshme.
Albright tutje ka thënë se marrëveshjet e MCC-së sjellin dobi për miliona njerëz, derisa ka thënë se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme me energjinë.“Këto investime pritet që të sjellin dobi, për miliona njerëz.

Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë kompaktin prej 263 milionë dollarësh. 4 nga 10 shtëpi në Kosovë, aktualisht janë duke u përballur me një formë të problemeve me energjinë”, tha ajo.

“Është shumë bukur që jemi mbledhur këtu në këtë moment të rëndësishëm për të dy vendet. Mirëpresim presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, ambasadorin Dugolli. Ekipi im ka bërë shumë punë për të mbërritur në këtë moment të rëndesishëm. Në 49 vende që nga viti 2004 SHBA ka investuar miliona. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë marrëveshjen në vlerë 202 milionë dollarë për mbështetje të energjisë. Energjia është kruciale për zhvillim. Investimet do të jenë në energji, si krijimin e baterive akumuluese energjetike. Fshirja e barrierave për gratë që të jenë më të përfshira në biznes. Edhe Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 35 milionë dollarë. SHBA është shumë krenare për partneritetin me Kosovën në këto marrëveshje”, ka theksuar Albright.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para të pranishmëve ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj.

“Faleminderit shumë që na mirëpritet në këtë ndërtesë historike. SHBA-ja ka qenë një shtëpi për Kosovën në kohë shumë të vështirë. Jemi të lumtur që jemi këtu me ju, në institucionin që ka pasur rol të rëndësishëm për pavarësinë tonë dhe që na përkrah sot e kësaj dite. Kosova sovrane, me një ekonomi në rritje, është krenare që ka SHBA-në pranë saj. SHBA është aleati ynë më i fuqishëm, janë dy shtete, dy kombe që kanë një lidhje të veçantë. Kjo ceremoni konfirmon për çka është kjo lidhje, që t’i qëndrojmë njërit-tjetrit pranë në kohë të vështira dhe të mira”, ka thënë fillimisht ajo.Osmani tutje theksuar se investimet e tilla do të jenë trashëgimia më e mirë e gjeneratave të ardhshme të Kosovës.

“SHBA po na ndihmon edhe më tutje për ekonomi me këtë marrëveshje, duke qëndruar pranë nesh dhe për të parë këtë sukses të veçantë, që ne të arrijmë edhe më shumë gjatë viteve në vazhdim. Duke parë sfidat e tranzicionit të energjisë, duke formuar vende pune, por edhe siguria e energjisë është një çështje e rëndësishme. Këtë herë, këto investime do të bëhen trashëgimia më e mirë e gjeneratave në vazhdim. Sot ne jemi dëshmitarë çfarë mund të arrijmë përmes punës së madhe, ne dhe MCC kemi dizajnuar kompaktin dhe 236 milionë dollarë, janë investimi i vetëm dhe më i madhi në energjinë tonë për dekada. Për çdo gjë dhe për ato që do të vijnë në vitet e vazhdueshme, dua të falenderoj çdo person në dy ekipet tona për këtë sukses të arritur”, nënvizoi Osmani.

Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar këtë ditë si historike për Kosovën dhe SHBA-në. ”Është ditë e madhe që Kosova të krijojë mundësi për prodhim energjie të pastër. Ky bashkëpunim i ngushtë e bën Kosovën të jetë një vend që ecë drejt prodhimit të energjisë së pastër. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen në moment të rëndësishëm për Kosovën. Në fund të këtij viti do të fillojmë me promovimin e energjisë solare. Jemi këtu në këtë ceremoni speciale duke falënderuar lidershipin e znj Albrghiht dhe minstres Rizvanolli. Kjo marrëveshje do t’i prezantohet edhe Kuvendit për ratifikim. Fatkeqësisht nuk do të jemi prezent kur edhe opozita do ta mbështesë këtë marrëveshje. Nuk jemi të bashkuar vetëm në interes por edhe në vlera e kjo e bën lidhjen tonë edhe më të fortë“, ka theksuar Kurti.