Qeveria dërgoi në Kuvend pakon me dokumente/ LSDM-ja mbështet propozimin, Mickoski u bën thirrje deputetëve ta hedhin poshtë
Qeveria sot pasdite në Kuvend i dërgoi të gjitha dokumentet nga propozimi francez, gjegjësisht nga korniza negociuese, bëjnë me dije nga kabineti i kryeparlamentarit, Talat Xhaferi. Por tani për tani ende nuk ka informacion se kur do të caktohet seanca në të cilën duhet të bisedohet për propozimin francez. LSDM-ja në Bordin e djeshëm Qendror vendosi ta përkrahë procesin e hapjes së negociatave me BE-në. Zëdhënësi i partisë dhe deputet, Darko Kaevski porositi se pret mbështetje të madhe nga Kuvendi dhe deputetët e opozitës që vendi ta vazhdojë rrugën evropiane.
“Jemi të gatshëm dhe gjithmonë jemi të hapur për bisedë dhe debat me opozitën dhe me të gjitha partitë politike që janë pjesë e Kuvendit për të biseduar për përmirësimin e tekstit të konkluzioneve. Presim që të caktohet seanca plenare në të cilën do të diskutohet mbi këtë propozim dhe propozim-përfundimet. Konsiderojmë se Kuvendit është vendi ku duhet t’i shpalosim argumentet dhe faktet dhe në fund të ditës të sjellim përfundime me të cilat Qeveria do të obligohet që t’i ruajë gjuhën maqedonase, identitetin maqedonas dhe karakteristikat.”- Deklaroi Darko Kaeski, LSDM.
Njeriu i parë i VMRO-DPMNE-së, sot publikoi një video-fjalim, duke thënë se në ditët e ardhshme duhet të fillojë seanca në të cilën do të debatohet për propozimin francez, të cilin, siç shton, Qeveria dëshiron ta shtyjë me forcë. Ai u bëri thirrje deputetëve të LSDM-së ta hedhin poshtë propozimin dhe ofroi Qeveri pakicë. “Në thelb miratimi, gjegjësisht mosmiratimi i këtij informacioni nuk do të ndryshojë asgjë në veçanti, pasi Qeveria e Kovaçevskit tashmë e pranoi atë. Por, para se të debatohet për këtë Informacion në Kuvend, dua t’u drejtohem deputetëve të partisë në pushtet, LSDM, e për të cilët e di se hezitojnë. Deputetë të LSDM-së hidhni poshtë informacionin e Qeverisë, e unë ju premtoj se nuk do të kërkoj zgjedhje dhe do të jap përkrahje që kjo Qeveri të mbijetojë, qoftë edhe nëse është Qeveri e pakicës, vetëm e vetëm Maqedonia të mos shantazhohet dhe nënvlerësohet dhe të mos pranohet ajo që tani po ofrohet.”- Pohoi Hristjan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Në ndërkohë Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike është duke përpiluar propozim-konkluzionesh lidhur me pjesën që duhet korrigjuar në kornizën negociuese. Ato kryesisht kanë të bëjnë me atë të mos ketë deklarata unilatarale (të njëanshme) lidhur me atë se si Maqedonia dhe Bullgaria e kuptojnë gjuhën maqedonase, Konferenca e dytë Ndërqeveritare të mos kushtëzohet me futjen e bullgarëve në Kushtetutë, gjegjësisht të ketë vetëm një dhe nga korniza negociuese të fshihen të gjitha çështjet bilaterale nga ana e Bullgarisë. Trajanovi shton se nëse këto ndryshime nuk pranohen, ai nuk do ta votojë propozimin.
“Do të ishte një presion i madh ndaj BE-së nëse Parlamenti ndërton qëndrime unike. Nëse nuk arrihet unitet rreth kësaj kornize, atëherë ne nuk do ta mbështesim. Nëse ka unitet mes partive, nëse kemi konsensus rreth kësaj çështjeje me atë që e sugjerojmë ne se çka duhet pranuar, atëherë do të japim mbështetje për konkluzionet, duke përfshirë edhe kornizën e cila duhet të pësojë korrigjime të caktuara”- deklaroi Pavle Trajnaov, Lidhja Demokratike.
Përveç LSDM-së, “për” mbështetje të kornizës negociuese janë edhe të gjitha partitë të shqiptarëve – BDI-ja, Aleanca për shqiptarët, Besa dhe Alternativa.