Maqedoni

Sulmohen punonjësit e NP “Parkingu i Qytetit” në Tetovë, sulmuesi raportohet në polici

Shpërndaje

Dje në Tetovë janë sulmuar fizikisht punonjësit e NP “Parkingu i Qytetit” në Tetovë nga një qytetar, automjeti i të cilit ka qenë i parkuar në mënyrë të parregullt. Sipas Komunës së Tetovës, sulmuesi është raportuar në polici dhe do të përballet me dënimet e përshtatshme, përcjell Nistori.

“Fatkeqësisht, sulmet ndaj punonjësve të NP “Parkingu i Qytetit” nuk po ndalen asesi. Punonjësit tanë dje janë sulmuar sërish fizikisht dhe verbalisht nga një qytetar, automjeti i të cilit ka qenë i parkuar në mënyrë të parregullt. Sulmuesi është raportuar në polici dhe do të përballet me sanksionet e duhura. Ngjarje të tilla të shëmtuara nuk i bëjnë dobi askujt, përkundrazi i japin imazh të keq qytetit. Apelojmë sërish që sa më parë të ndërpriten sjelljet e këtilla të dhunshme dhe të respektohen rregullat dhe rregulloret e qarkullimit rrugor, të cilat vlejnë për të gjithë njëlloj. Detyra jonë është të vendosim rregull në parkim, i cili duhet të jetë në përputhje me rregulloret. Nga kjo përfitojnë të gjithë, si shoferët ashtu edhe këmbësorët. Një rend më i mirë mund të krijohet vetëm duke punuar së bashku.” – thonë nga komuna.

Ndryshe, banorët ankohen se sidomos gjatë ditës për të arritur nga njëri skaj i qytetit deri në qendër të duhen madje edhe gjysmë ore, kjo për shkak të vend parkimeve jo të mjaftueshme në qytet dhe parkimi i veturave në mënyrë të papërgjegjshme.