Ukrainë, përgatitje për të nisur eksportin e drithit
Ukraina po vazhdon me përpjekjet për të rifilluar eksportin e drithit nga portet e saj që kanë dalje në Detit të Zi bazuar në një marrëveshjeje që synon lehtësimin e mungesës globale të ushqimit.
Por autoritetet ukrainase paralajmëruan se operacioni do të rrezikohej nëse sulmi me raketa që Rusia i bëri portit të Odesës një ditë më parë ishte një shenjë paralajmëruese për sulme të tilla të ngjashme, në të ardhmen.
Transmetuesi publik ukrainas “Suspilne” citoi ushtrinë ukrainase të thoshte se raketat ruse nuk kishin goditur zonën e depozitimit të drithit në port dhe se nuk kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme. Nisur nga ky fakt Kievi njoftoi se po përgatitej për të rifilluar dërgesat e drithit.
“Ne vazhdojmë përgatitjet teknike për nisjen e eksporteve të produkteve bujqësore nga portet tona”, shkruante ministri i Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov në një postim në Facebook.
Rusia njoftoi të dielën se forcat e saj kishin goditur me raketa një luftanije ukrainase dhe një depozitë armësh në Odesa.
Marrëveshja e nënshkruar nga Moska dhe Kievi të premten në Stamboll u përshëndet si një përparim diplomatik që do të ndihmonte në frenimin e rritjes së çmimeve globale të produkteve ushqimore. Zyrtarët e OKB-së thanë se falë marrëveshjes dërgesat e drithërave ukrainase mund të arrinin nivelet e paraluftës, prej 5 milionë ton drithë në muaj.
Por këshilltari ekonomik i Presidentit Zelenskiy, Oleh Ustenko, paralajmëroi të dielën se sulmi në Odesa sinjalizoi se ky do të ishte një objektiv i paarritshëm.
Ai tha se Ukraina kishte kapacitete për të eksportuar 60 milionë ton grurë përgjatë nëntë muajve të ardhshëm, por nëse portet e saj nuk do të funksionojnë siç duhet do të duheshin deri në 24 muaj kohë./Voa