Rajoni

‘Është e rëndësishme çka ke në kokë, e jo çka ke mbi kokë’: Koha kur Kurti thoshte se s’duhet të ndalohet shkollimi për shkak të shamisë

Shpërndaje

Debati për Udhëzimin Administrativ, respektivisht për pikën në të cilën e ndalon bartjen e mbulesës, ka qenë kryetema e dy javëve të fundit në Kosovë.

Rreth kësaj teme sot ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kryeministri tha se as tash si kryeministër s’e ka ndërruar qëndrimin se nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, por se moshën 16 vjeçare e konsiderojnë si prag.

“Ministria e Arsimit është duke e përcjellë me vëmendje shqetësimin e disa qytetarëve që e kanë nisur një fushatë për ndryshim të udhëzimit administrativ. Ne do ta kemi edhe projektligjin për liritë fetare, për komunitetet fetare që do ta sjellim në Kuvend. Por, qëndrimin e kam thënë para shumë vjetëve. Nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë, por gjithashtu kam thënë se mosha 16 vjeçare është pragu. Ju e dini qëndrimin tim politik, tash jo si kryeministër i Kosovës, por si dikush që e ka thënë shumë herët”.

Kurti tha se mosha 16 vjeçare duhet të jetë prag edhe për moshën e votimit siç e kanë disa shtete të botës

“Meqë mund të marrësh kartë identiteti në moshën 16 vjeçare dhe nëse sistemi e mundëson që me një procedurë edhe të lidhesh kurorë në këtë moshë”, tha ai.

Por në vitin 2017 Albin Kurti si opozitar thoshte se asnjë vajze nuk duhet t’i ndalohet shkollimi për shkak se ajo mban shami në kokë, pa e përmendur fare moshën.

Kurti thoshte në atë kohë se më e rëndësishme është ajo çka vajzat kanë në kokë, se çka mbajnë mbi kokë, shkruan Demokracia.com.

“Vetëvendosje së pari do ta luftojë islamofobinë. E po ashtu do ta luftojmë stigmatizimin e islamit që bëhet nganjëherë nga politika e nganjëherë nga qarqe publike e shoqërore të afërta me politikën. Prej vitit 2011 ne e kemi pasur të qartë qëndrimin tonë se ne jemi kundër ndalimit të mbajtjes së mbulesës. Ka pasur tendenca për ndalim, por ne nuk do ta pengojmë një vajzë që të shkollohet ose që të jep mësim për shkak se mbulohet sepse në njërën anë është e drejta për shkollim dhe në anën tjetër është bindja se është e rëndësishme se çka ke në kokë e jo çka ke mbi kokë”, thoshte Kurti në një takim ku në tavolinë ishin prezent edhe ministrat e sotëm Xhelal Sveçla, Liburn Aliu e deputeti Eman Rrahmani.