Grubi: Ditë e madhe në përvjetorin e e Marrëveshjes së Ohrit, mbi 130 milion euro investim, me 900 punësime të reja
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi përmes një postimi në faqen e tij të Facebookut ka paralajmëruar aktivitetet e ditës për shënimin e përvjetorit të 21-të të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Grubi ka potencuar se sot në Zonën zhvillimore teknologjike – industriale në Tetovë në ora 12:00 do të vendoset gurëthemeli i fabrikës së re për prodhimin e veturave elektrike,madje ai ka përdorur edhe fotografinë e futbollistit të njohur Neymar që reklamon këtë brend veturash që do të fillojnë të prodhohen në vendin tonë duke hapur shumë vende të reja pune.
Ai poashtu ka rikujtuar se në ora 21:00 qytetarët do të festojnë të arriturat e barazisë, bashkëjetesës paqësore, demokracisë konsensuale me edicionin e parë të “Peace Festival” që do të sjellë në Sheshin Skenderbeu në Shkup yjet e estradës muzikore si: Nora Istrefin, Fifin, Kidën, Ermal Fejzullahun, Majk dhe Lumi B.
Në vazhdim postimi i plotë i Zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi :
“Ditë e madhe na pret sot në përvjetorin e Marrëveshjes paqësore të Ohrit. Sot në ora 12 vendosim gurëthemelin e fabrikës me teknologji bashkëkohore për prodhimin e veturave elektrike e.GO në Zonën e lirë ekonomike në Tetovë.
Investimi në vlerë prej 130 milion euro do të krijojë 900 vende të reja pune drejtëpërdrejt në Tetovë dhe Pollog si dhe mbi 3.000 punësime indirekte nga kompanite vendore të cilat do të bashkëpunojnë me investitorin, ndërsa pritjet janë që qarkullimi në vitet e fundit me prodhim në kapacitet të plotë të arrin deri në 720 milion euro.
Në foto, futbollisti brazilian Neymar promovon modelin e ri të e.GO Mobile në Berlin.
Ndërsa në mbrëmje, shihemi në Peace Festival me fillim në ora 21:00 në sheshin Skenderbeu!”