Bota

I dolën pamjet nga festa e shfrenuar, reagon kryeministrja finlandeze: Kam bërë gjëra legale, s’kam gjë për të fshehur

Shpërndaje

Publikimi i një videoje nga një festë, ku merrte pjesë kryeministrja 36-vjeçare e vendit, Sanna Marin, shkaktoi reagime të shumta në Finlandë.

Sipas gazetës finlandeze Iltalehti, në pamjet që qarkullojnë në faqet e rrjeteve sociale, kryeministrja shihet duke kërcyer në një festë me figura të tjera të njohura finlandeze, duke përfshirë deputetin Ilmari Nurminen dhe prezantuesen Tini Wickstrom.

Deputeti finlandez Miko Karna i bëri thirrje kryeministres të bëjë një test droge dhe të bëjë publike rezultatet.

Në deklaratat e mëngjesit të së enjtes, zonja Marin mohoi përdorimin e drogës dhe theksoi se nuk kishte asgjë për të fshehur.

“Kam kërcyer, kam kënduar, kam bërë festë, kam bërë gjëra legale”, tha ajo, duke shtuar se nuk pinte shumë alkool. “Mendova se duke qenë se videot ishin private, ato nuk do të publikoheshin”, shtoi 36-vjeçarja.

Pamjet tërhoqën reagime të ndryshme në internet, me disa që kritikuan Marin për sjellje të papërgjegjshme, ndërsa të tjerë folën për një rritje të mundshme të popullaritetit të Kryeministres. /abcnews.al