Suspendohet prokurorja Vilma Ruskovska/ Dorëhiqet drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muharremi
Prokurori shtetëror Lubomir Joveski suspendoi nga puna prokuroren Vilma Ruskovska, kurse ndaj kolegeve të saj, Elizabeta Josifovska dhe Ivana Trajçeva ngriti procedurë disiplinore. Si arsye për suspendimin e Ruskoskës ceket “shkelje e rëndë disiplinore”, si pasojë e bastisjes në Policinë Financiare.
“Po, jam larguar përkohësisht nga vendi i punës.”- tha Vilma Ruskovska për Tv21.
Nga Prokuroria Publike përmes një e-mail informuan për procedurat disiplinore.
“Sot, prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut dorëzoi propozim për inicimin e një procedure disiplinore për përcaktimin e përgjegjësisë së tre prokurorëve publikë, të cilët dyshohen se me qëllim dhe në mënyrë të pajustifikueshme kanë bërë gabim të madh profesional, duke kryer shkelje të rëndë disiplinore.”- thanë nga Prokuroria Publike.
Por, sot pasdite dorëheqje dha drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi.
“Me vullnetin tim të lirë, jap dorëheqjen nga posti i ushtruesit të detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Policisë Financiare. Këtë vendim e marr që opinioni të mos ketë as më të voglin dyshim për integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë e procedurës që vazhdon të zhvillohet në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vendimi i sotëm i prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut dha një mesazh të qartë se ligjet duhet të respektohen nga të gjithë dhe se keqpërdorimi i detyrës zyrtare për qëllime personale është i papranueshëm.”- ka njoftuar Afarat Muaremi, Policia Financiare.
Deri në suspendimin e kryeprokurores për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Ruskovska ka ardhur pas bastisjeve që janë bërë në Drejtorinë e Policisë Financiare dhe zyrat e Arafat Muaremit. Atëherë, prokurorja Ruskovska i dërgoi edhe një letër komunitetit ndërkombëtar.
“Unë, si prokurore me më shumë se 34 vjet përvojë, gjatë së cilës kam qenë prokurore për krimin e organizuar që nga themelimi i Departamentit të Krimit të Organizuar të PPRM në vitin 2004, nuk do të lejoj që një person, sjellja e të cilit kontrollohet, të ma njollosë fytyrën dhe nderin të cilat për shumë vite i kam ndërtuar me mundim të madh. Nderin, respektin i kam mësuar qysh në moshë të vogël nga prindërit e mi që të dy luftuan me fashistët për Maqedoninë e sotme të lirë dhe të pavarur.”-thuheshe në letrën e Vilma Ruskovskës.
Ajo, me këtë rast u bëri thirrje ambasadorëve dhe organizatave ndërkombëtare me përfaqësi në vendin tonë, të ndërmarrin hapa adekuatë.
“U bëj thirrje institucioneve kompetente në shtet, por dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe ambasadave, para së gjithash Ambasadës së SHBA-ve dhe Zyrës së BE-së që njëherë e përgjithmonë të verifikohen të gjitha faktet dhe të zbardhet se kush në këtë shtet lufton kundër krimit e kush e bën krimin.”- thuheshe më tej.
Tani, Ruskovska brenda 8 ditëve nga pranimi i vendimit për shkelje disiplinore, mund të parashtrojë ankesë pranë Këshillit të Prokurorëve Publikë. Në qoftë se Këshilli nuk pranon ankesën e saj, ajo do të shkarkohet nga funksioni.