Tronditëse, 11-vjeçe është vajza që dyshohet se u dhunua nga 5 meshkuj për shtatë orë në Prishtinë
Vajza që dyshohet se u dhunua nga pesë meshkuj, për shtatë orë në Prishtinë, është 11-vjeçe merr vesh T7.
Dhunimi i 11-vjeçares, sipas policisë ka ndodhur të shtunën nga ora 17:30-00:30.
Lidhur me rastin janë arrestuar dy nga pesë të dyshuarit, njëri është i mitur. Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.
“Me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar (njëri madhor dhe tjetri i mitur), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
Tutje, Ulaj deklaron se ndaj rastit të dhunimit të së miturës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Teksa shton se nuk mund të japin informacione shtesë në këtë fazë.
Ky rast është përfshirë edhe në raportin e sotëm të Policisë së Kosovës, ku thuhet se pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore.
“DHUNIM /Prishtinë 27.08.2022-17:30-00:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e PK-së.