Rajoni

Vuçiq pranon reciprocitetin vetëm me 1 kusht

Shpërndaje

“Në dokumente të mos njihet pavarësia e Kosovës”

Serbia pranon zbatimin e vendimit për reciprocitetin, por vetëm me një kusht dhe ai është në leternjoftime të shënohet se nuk njihet pavarësia e Kosovës.

Ka qenë vetë Presidenti Aleksandar Vuçiç që ka dhënë zgjidhjen e kompromisit me Prishtinën per vendimin për reciprocitetin që hyn në fuqi më 1 Shtator.

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që është arritur në dialog më 2011”.

Ai theksoi se kjo nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara.

Por Vuçiç kërkoi që edhe serbët e Mitrovicës të lëvizin në Kosovë me dokumentet e Serbisë, pa u penguar në kufi.

“Për këtë ne jemi duke kërkuar garancinë e BE-së. Ne jemi duke kërkuar që secili serb nga veriu i Kosovës të mund të hyjë në territorin e Kosovës me dokumente serbe, dhe që mund të dalin kur të duan. Nëse e konfirmojnë këtë, ne kemi zgjidhur një problem të vogël”.

Ndërsa sa i përket çështjes së targave ai ka deklaruar se nuk ka kompromis dhe pavarësisht se hyn në fuqi më 1 Shtator ka dy muaj afat për t’u zbatuar. Vuçiç ndërkohë bëri të ditur se Ana Brnabiç do të jetë sërish Kryeministrja e Serbisë.