Gjermania e Franca me deklaratë të përbashkët kërkojnë liberalizimin e vizave për Kosovën
Gjermania, Franca dhe Polonia kanë lëshuar të premten një deklaratë të përbashkët përmes së cilës bëjnë thirrje për progres në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Përmes kësaj deklarate, këto tri shtete, të njohura po ashtu si “Trekëndëshi i Weimarit”, theksojnë nevojën për një marrëveshje gjithpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë përparimin.
Tri shtetet theksojnë se janë pajtuar për një vizitë tripalëshe në rajonin e Ballkanit.
“Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon. Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal. Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushtojmë rajonit dhe si shenjë e mbështetjes sonë të përbashkët, ne kemi rënë dakord për një vizitë trepalëshe në këtë rajon dhe avokojmë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratë.