RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti priti në takim lamtumirës Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor

Shpërndaje

Miqësia, partneriteti dhe aleanca ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, u theksuan në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor.

Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për kontributin e Sllovenisë para dhe pas luftës në Kosovë. Ai ritheksoi se Sllovenia është partneri ynë i çmuar pasi ndajmë të njëjtat vlera dhe pikëpamje për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë.

Në këtë takim lamtumirës të tij, Presidenti Pahor tha se është gjithmonë nder dhe privilegj të takohet me prijësit e shtetit të bukur të Kosovës. Ndonëse kjo është vizita e tij e fundit në cilësinë e Presidentit të Sllovenisë, ai tha se shpreson të vizitojë sërish Kosovën si mik i vendit tonë.

U bisedua për perspektivën evropiane të rajonit, rëndësinë e Procesit të Berlinit, si dhe rreth ecurisë së bisedimeve në Bruksel dhe hapave të ardhshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

U theksua përkushtimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe NATO. Kryeministri Kurti potencoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në operacionet dhe projektet e NATO-s. Ai veçoi anëtarësimin në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si një hap shumë të rëndësishëm, për çfarë Presidenti Pahor konfirmoi mbështetjen e Sllovenisë.