MaqedoniTop Lajme

Në UT u mbajt Seminari XVI Ndërkombëtar i Albanologjisë

Shpërndaje

“Kultura dhe globalizimi” ishte tema boshte e Seminarit XVI Ndërkombëtar të Albanologjisë. Mbi 100 studiues të shkencave të gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe etnokulturës, gjatë punimeve të këtij edicioni i prezantuan kumtesat e tyre shkencore, duke sjellë edhe mendime të reja mbi këto tema, të cilat jo vetëm që janë në interesin e studiuesve, por edhe të mbarë opinionit.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar pjesëmarrësve në këtë seminar theksoi se, manifestimet shkencore, debatet dhe mendimet, që paraqiten në këtë seminar, nxjerrin në dritë vlera të rëndësishme dhe me peshë shkencore. “Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë ka qenë dhe do të mbetet në vazhdimësi në shërbim të këtij qëllimi, me porosi të mëdha humane dhe civilizuese. Ky Seminar është një vatër e cila i tubon studiuesit e njohur të gjuhës, letërsisë, historisë dhe kulturës shqiptare, të cilët përmes sesioneve përkatëse i paraqesin, i shtrojnë tezat e tyre shkencore dhe debatojnë për çështje që kanë të bëjnë albanologjinë në përgjithësi. Në Programin e sivjetmë të Seminarit, përmes realizimit të veprimtarive shkencore besojmë të vijojë praktika pozitive e intensifikimit të bashkëpunimit të ndërsjellë mes studiuesve dhe qarqeve intelektuale të vendit me ata që sjellin përvojat e tyre nga qendrat tjera universitare, shkencore dhe hulumtuese, kudo që zhvillohen studime nga fusha e gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe kulturës shqiptare. Po ashtu sot, në këtë hapje zyrtare të punimeve të Seminarit, e promovojmë edhe Nr. 17-18, vëllimin e nëntë të Revistës “Albanologjia”, theksoi Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Drejtori i Seminarit Ndërkombëtarë të Albanologjisë, Prof. Dr. Salajdin Salihu tha se seminari zhvillon punimet në katër sesione shkencore, atë të gjuhësisë, letërsisë, etnokulturës dhe medies, si dhe atë të historisë. Ai më pas, duke iu referuar temës qendrore që trajton seminari, para auditorit prezantoi disa mendime personale mbi kulturën në kohën e globalizimit, që sipas tij jo domosdoshmërish e paraqesin qëndrimin institucional. “Ithtarët e globalizimit thonë se e mbështesin pluralizmin dhe autonominë kulturore e politike, që ndikon në zhvillimin e demokracisë. Por, antiglobalistët, që veprojnë globalisht, mendojnë ndryshe. Sipas tyre: bota ngulfatet nga institucionet financiare ndërkombëtare; unifikimi e fshin shumëllojshmërinë kulturore dhe i rrezikon kulturat lokale; homogjeniteti kulturor e rrezikon shumëllojshmërinë kulturore. Kulturat, megjithatë, janë fenomene kombëtare. Nuk janë fenomene ndërkombëtare. Por, mundësojnë ndërthurje mbikombëtare. Kulturat kombëtare, si pasuri e njerëzimit, duke qenë sisteme të hapura, pasurohen në ndërveprim”, u shpreh ndër të tjera drejtori i Seminarit, Prof. Dr. Salajdin Salihu.

Punimet e seminarit i përshëndeti edhe Akademiku Beqir Meta. Ai tha se organizimi i këtij seminari është traditë e bukur dhe e mban të gjallë dëshirën, pasionin për studime, për të biseduar bashkërisht, për të shkëmbyer mendime, për t’i verifikuar dijet që fitojmë nga kërkimi shkencor dhe nga studimet, secili prej nesh për të zgjeruar dijet tona, por njëkohësisht edhe për të motivuar në zgjerimin e dijeve. “Ne jemi shumë të kënaqur që kthehemi në këtë seminar pas kësaj traume të madhe të shoqërisë njerëzore në përgjithësi, nga pandemia, dhe uroj që të jetë me këmbë të mbarë, tashmë të kthehemi në normalitet, pra është shenjë pozitive e normalitetit. Dua të përshëndes një element pozitiv që ka ky seminar, që ky afirmon në mënyrë të vazhdueshme dhe me shumë vendosmëri studiuesit e rinj të cilët unë i kam parë edhe në seminaret e tjera dhe që vijnë mbajnë referate, ndaj seminaret kanë shërbyer si një vend, një shkollë promovimi shumë pozitive. Detyra jonë është që pikërisht këtë trend shumë pozitiv ta veshim gjithnjë e më shumë me një përmbajtje sa më serioze shkencore, që është një sfidë e përhershme dhe duhet të jetë e vazhdueshme, me qëllim që t’ia risim vlerën sa më shumë këtij seminari, në radhë të parë Universitetit të Tetovës, por edhe gjithë qendrave”, tha Prof. Dr. Beqir Meta.
Më pas, në hapjen solemne të këtij Seminari, Prof. Dr. Marenglen Verli, nga Republika e Shqipërisë prezantoi kumtesën e tij me temë: “Përpjekjet e Serbisë për spastrimin etnik të viseve shqiptare 1877-1941”. Prof. Dr. Isak Shema nga Republika e Kosovës para pjesëmarrësve prezantoi kumtesën e tij me titull: “Kultura letrare bashkëkohore dhe globalizim”, ndërsa Prof. Dr. Agim Vinca nga Republika e Maqedonisë së Veriut prezantoi kumtesën me temë: “Kultura letrare bashkëkohore dhe globalizmi”.

Seminari i Albanologjisë është bërë një qendër e rëndësishme për studiuesit nga vendi, rajoni dhe më gjerë.