MaqedoniTop Lajme

Osmani-Escobar: Dialogu strategjik në mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së jep rezultate

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në margjinat e Seancës së 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, realizoi takim me Gabriel Escobar, zv. ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, njoftojnë nga MPJ.

Bashkëbiseduesit, thonë nga MPJ, shprehën kënaqësinë që Dialogu Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara tashmë po jep rezultate fillestare në formën e granteve amerikane që synojnë forcimin e sundimit të ligjit, kulturën dhe mbrojtjen. Ky zhvillim i bashkëpunimit është një tjetër konfirmim i aleancës shumëvjeçare dhe partneritetit të fortë strategjik mes dy vendeve.

“Ne jemi të përkushtuar që të përcaktojmë aktivitetet e ardhshme që dalin nga Dialogu Strategjik dhe synojnë forcimin e proceseve reformuese dhe garantimin e progresit dhe prosperitetit demokratik të vendit. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndër vite, me theks të veçantë në procesin tonë të integrimit evropian si veçanërisht i rëndësishëm për stabilitetin e përgjithshëm rajonal”, theksoi Osmani.

Në të njëjtën kohë, shtojnë nga atje, në takim u përshëndet aleanca mes dy vendeve në kuadër të NATO-s, ndërsa u theksua mbështetja për Ukrainën dhe përpjekjet e përbashkëta për mbrojtjen e parimeve dhe vlerave moderne demokratike, si dhe u dënua ashpër invazioni ushtarak rus.