Bota

Scholz: Gjermania nuk është më e varur nga gazi rus, i kemi depot plot

Shpërndaje

Në një debat në parlamentin gjerman kancelari gjerman, tha se Gjermania ka arritur diçka, që askush nuk e parashikonte para disa muajsh: depot me gaz janë të mbushura.

Debati për buxhetin e vitit të ardhshëm, zhvilluar të mërkurën, 7.02.2022 në Bundestagun Gjerman ishte i nxehtë. Jo vetëm partitë e opozitës, edhe ato të qeverisë, akuzuan njëra-tjetrën për gabime të bëra në të kaluarën, sidomos për sa i përket politikave energjetike.

Scholz: I kemi depot plot

Scholz tha se brenda një kohe shumë të shkurtër, Gjermania është shkëputur nga varësia nga gazi rus dhe se është në rrugën e duhur për të kapërcyer këtë dimër. Kancelari socialdemokrat ishte luftarak në debatin e përgjithshëm për buxhetin e kancelarisë dhe iu përgjigj me kundërsulm kritikave të opozitës CDU/CSU.

Scholz kritikoi ministrat e mëparshëm të CDU-së që e kishin penguar zgjerimin e kapaciteteve të energjisë me terminale të gazit të lëngshëm në bregun e Detit të Veriut. Scholz, i cili në qeverinë paraardhëse nën Angela Merkel (CDU) ka qenë zëvendëskancelar dhe ministër i financave, tha se kishin qenë ministrat e CDU-së në këtë qeveri, që i kishin bllokuar këto plane të tij.

Scholz nuk i kurseu kritikat as për simotrën bavareze të CDU-së, Unionin Kristiansocial (CSU) që sipas kancelarit kishte bllokuar edhe ndërtimin e linjave për transmetimin e energjisë së erës nga Veriu i Gjermanisë në Bavari. Kancelari socialdemokrat e quajti këtë një gabim fatal.

“Është mirë që jeni në opozitë, që të mund të menaxhojmë zhvillimin industrial të vendit dhe të mos u shmangemi më problemeve të këtij vendi”, tha Scholz në drejtim të opozitës.

Merz kritikon daljen nga rryma bërthamore

Më parë kreu i opozitës, Friedrich Merz, CDU/CSU, kishte kritikuar edhe mbylljen e reaktorëve bërthamorë sipas planit, të cilin e rikonfirmoi të hënën ministri i energjisë Robert Habeck. Merz kishte kërkuar lënien në punë të reaktorëve bërthamorë edhe për tre katër vjet.