Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin, ambasadori duhet të largohet brenda 24 orësh
Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike te Iranit. Vendimi u shpall sot nga kryeministri Edi Rama, pasi provat e pakundërshtueshme vërtetuan se pas sulmit kibernetik i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ishte Republika Islamike e Iranit.
Vendimi i është bërë e ditur me notë zyrtare ambasadës së Republikës Ismale të Iranit dhe i kërkohet trupit diplomatik të lërë Shqipërinë brenda 24 orësh.
“Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt te menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike te Iranit. Ky vendim i është bere i ditur me note zyrtare Ambasadës se Republikës Islamike te Iranit, te cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i te gjithe personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, pershfire edhe personelin e sigurise.
Kryeministri Edi Rama deklaron se sulmi kibernetik i ndodhur më 15 korrik 2022 ka qenë agresion shtetëror i orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit.
Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror.
Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron.