Berisha-Meta e nënshkruan marrëveshjen për kandidatë të përbashkët në zgjedhje
Partia Demokratike (PD) në Shqipëri e drejtuar nga Sali Berisha dhe Partia e Lirisë (PL) me kryetar ish-presidentin Ilir Meta, kanë firmosur të enjten një marrëveshje për të garuar me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore që do të mbahen më 14 maj të vitit 2023.
Marrëveshja me gjashtë pika u nënshkrua nga krerët e dy partive, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Sipas këtij dokumenti dy partitë opozitare do të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilët do të vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare që do të organizohen nga PD-ja, transmeton REL.
Ndërkaq Partia e Lirisë do të ketë kryetarët e Këshillave Bashkiakë në ato zona, ku kjo parti është vendimtare për të krijuar shumicën.
Pikat e tjera të marrëveshjes lidhen me aksione të përbashkëta për të realizuar mbajtjen e referendumeve për çështje të ndryshme, një premtim i Ilir Metës që pas rikthimit të tij në politikën aktive më 25 korrik, kur i mbaroi mandati si president i Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, angazhohen për transparencë të qeverisjes vendore dhe nisma të përbashkëta për të ndalur atë që e cilësojnë “betonizim” të qyteteve.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është hapi i parë drejt fitores së sigurt të opozitës në Tiranë dhe Shqipëri.
Ndërsa, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se kjo nuk është një marrëveshje për ndarje pushteti në nivel qendror, por për të kthyer besimin e qytetarëve te demokracia.
Krerët e opozitës u sfiduan nga pyetja se sa e moralshme është kjo marrëveshje, përderisa për vite me radhë kanë akuzuar njëri-tjetrin për korrupsion.
“Përmbajtja e marrëveshjes është ajo që u intereson shqiptarëve. Është shumë më e ndershme dhe transparente sesa marrëveshja e natës së 17 majit (marrëveshja Rama-Basha në 2017) që vazhdon ende sot të minojë opozitarizmin në Shqipëri, demokracinë dhe të mbajë të shtypur qytetarët ndaj një regjimi tërësisht kleptokratik”, u përgjigj Meta.
Ndërsa, Sali Berisha tha se nuk është e nevojshme të nxirren nga arkivat akuza e kundërakuza, pasi marrëveshja ka vetëm një qëllim, largimin e kryeministrit Rama nga pushteti.
“Kjo është marrëveshja e shkallmimit të regjimit të [Edi] Ramës dhe groposjes politikisht të një njeriu që shok për negativitete ka vetëm veten, që kur është qeverisur Tirana për herë të parë nga shqiptarë deri më sot”, tha Berisha.
Energjitë kryesore të opozitës janë përqendruar në Tiranë, që prej dy mandatesh drejtohet nga Erion Veliaj i Partisë Socialiste (PS).
Pak kohë më parë kryeministri Edi Rama konfirmoi se PS-ja do të garojë sërish në Tiranë me Veliajn.
Në kampin tjetër, deputeti demokrat Belind Këlliçi deklaroi zyrtarisht kandidaturën e tij për të drejtuar Tiranën, por për këtë i duhet të kalojë garën fillestare brenda PD-së.
Ndërkaq, mjeku i njohur, epidemiologu Ilir Alimehmeti dhe ish-deputeti demokrat Gert Bogadani, kanë shpallur publikisht ambiciet e tyre për të kandiduar për Tiranën, por ende nuk kanë dorëzuar kërkesë pranë PD-së.
Data e zgjedhjeve të ardhshme vendore u dekretua pak ditë më parë nga presidenti Bajram Begaj.
Procesi do të zhvillohet më 14 maj të vitit 2023.
Aksioni i radhës i bashkëpunimit mes PD-së dhe PL-së do të jetë protesta e 12 nëntorit.
Sipas opozitës, kjo protestë do të jetë nisja e betejës kundër “regjimit Rama” siç e cilësojnë Berisha dhe Meta.